Lidhje

Pentagoni: Ekipet amerikane po stërvisin opozitën siriane


Ndërsa sulmet ajrore nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara vazhduan edhe të premten kundër objektivave të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, Pentagoni tha se ekipet amerikane kanë shkuar në Arabinë Saudite, me detyrën për të stërvitur opozitën siriane.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel i tha gazetarëve se që nga e hëna, SHBA dhe aleatët arabë kanë kryer 43 sulme ajrore në Siri, ndërsa numri i sulmeve ajrore amerikane dhe franceze kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak e ka kaluar shifrën 200:

"Kjo ka qenë në javë e rëndësishme për forcat amerikane dhe të koalicionit."

Zoti Hagel bëri të njohur se ekipet vlerësuese mbërritën në Arabinë Saudite. Ato janë pjesë e planit ushtarak ammerikan për stërvitjen e elementëve të opozitës siriane për të luftuar militantët e Shtetit Islamik. Sekretari i Mbrojtjes tha se luftëtarët e opozitës po vëzhgohen nga ushtarakët amerikanë, ekspertët e diplomacisë dhe ata të zbulimit, për të përcaktuar se cilët sirianë do të trajnohen, por ende nuk është e qartë se kush do ta udhëheqë forcën siriane.

"Ne nuk do t'i instruktojmë ata se cilët janë udhëheqësit e tyre. Ata do të marrin vendimet e tyre për këtë." - tha zoti Hagel.

Zoti Hagel foli me gazetarët disa minuta pasi Parlamenti i Britanisë votoi për t'iu bashkuar SHBA dhe Francës në kryerjen e sulmeve ajrore kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik në Irak. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest e vlerësoi këtë fakt:

"Ne jemi të kënaqur të shohim mbështetjen e fuqishme nga anëtarët e parlamentit për pjesëtarët e ushtrisë britanike që punojnë krahas me ushtarakët amerikanë në ndjekje të këtij synimi që i kemi vënë vetes, nga i cili përfitojnë vendet nga e gjithë bota, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe."

Koalicioni nën udhëheqjen e SHBA kundër Shtetit Islamik përfshin më tepër se 40 vende të botës. Pesë shtete arabe kanë dhënë ndihmën e tyre për sulmet ajrore në Siri. Po ashtu, Britania, Danimarka, Belgjika dhe Holanda u bashkuan me koalicionin e udhëhequr nga SHBA, që lufton kundër këtij grupi në Irak.

XS
SM
MD
LG