Partia Socialiste e opozitës përcaktoi sot rregullat dhe kriteret e zgjedhjes së kandidatëve për kryetarë bashkish e komunash. Asambleja Kombëtare vendosi sot që gjatë 15 ditëve të gjitha degët e kësaj partie do të zgjedhin kandidatët e majtë për kryetarë dhe këshilltarë bashkiakë e komunalë, ndërsa kryesia e Partisë Socialiste do të marrë në 27 mars një vendim përfundimtar për emrat e kandidatëve dhe për aleancat parazgjedhore me partitë e tjera.
Përfaqësuesi i kësaj partie, Blendi Klosi tha se “socialistët u mbeten kërkesave për më shumë transparencë dhe kushte më të mira teknike në organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve vendore”.
Zoti Klosi thotë se “Partia Socialiste është ende duke shqyrtuar kandidaturat për të zgjedhur njerëzit më të mirë, pa bërë ndonjë dallim, nëse zonat janë qytete të mëdha apo komuna të vogla”.
Ndërkaq edhe Partia Demokratike ka nisur përzgjedhjen e kandidaturave të tyre në rrethe për kryetarë e këshilltarë bashkish e komunash. Sfida kryesore e demokratikëve mbetet sipas tyre, të fitojnë në qytetet kryesore, ku prej 2-3 mandate rresht qeverisin kryetarë të majtë.
Demokratët kanë një marrëveshje me LSI-në që të kenë kandidatë të përbashkët në disa zona, apo t’i hapin rrugë kandidatëve të njëri-tjetrit.
Një fushë tjetër e gjerë bashkëpunimi me aleatët si për PD ashtu edhe për PS janë këshillat bashkiake e komunale, ku votat janë po aq të rëndësishme sa edhe ato për kryetarin.
KQZ ka nisur punën për organizimin e zgjedhjeve vendore, duke ngritur komisionet zonale dhe duke siguruar materialet zgjedhore. Megjithatë dyshimet e socialistëve të opozitës bien edhe mbi këtë komision, krahas pasaktësisë së listave të votuesve dhe verfikimin e kartave të identitetit.
OSBE ka bërë të ditur se do të sjellë një numër të madh vëzhguesish ndërkombëtarë, që krahas atyre vendorë, do të ndjekin deri në fund numërimin e votave, për t’u siguruar dhe ndjekur vetë nga afër procesin zgjedhor në tërësi, i vlerësohet si i rëndësishëm për të ardhmen e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.