Parlamenti shqiptar votoi sot për heqjen e imunitetit parlamentar deputetit dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, i dyshuar nga prokuroria se ka bërë presion për të marrë rryshfet ndaj ish-ministrit të ekonomisë, Dritan Prifti, në një video të regjistruar nga ky i fundit.
Pothuaj të gjithë deputetët e pranishëm votuan pro 128, dhe vetëm 2 kundër heqjes së imunitetit të tij, ndërsa edhe vetë zoti Meta ka deklaruar një muaj më parë se nuk i njeh vetes asnjë imunitet, se është në dispozicion të organeve të drejtësisë.
Zoti Meta tha në parlament se ai “nuk ka bërë presion për rryshfet”, se “videoja është e montuar” dhe se ai “ka pranuar të hetohet shumë javë më parë”. Zoti Meta tha se “kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit ishte shumë e vonuar”, dhe se me shmangien e kësaj vonese mund të ishin shmangur edhe ngjarjet e dhunshme të 21 janarit.
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, deputeti Namik Dokle, tha se “opozita ishte e gatshme të votonte për heqjen e imunitetit të cdo ligjvënësi të kërkuar nga prokuroria”, duke kërkuar madje që imuniteti i zotit Meta dhe i zotit Prifti të hiqeshin njëkohësisht në seancën e sotme. Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, tha se në shtyrja e imunitetit të zotit Prifti për javën tjetër është bërë thjesht për arësye procedurash parlamentare.
Prokuroria e përgjithshme i kërkoi parlamentit të hiqet imuniteti i deputetit Ilir Meta për të nisur hetimet mbi dyshimet për presion me qëllime përfitimi, bazuar në videon e parë, si dhe deputetit Dritan Prifti mbi dyshimet për ndarje rryshfeti me një vartës të tij, bazuar në videon e dytë, materiale filmike të regjistruara nga vetë ish-ministri Prifti.