Lidhje

Parlamenti Evropian mbështet rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë


Parlamenti Evropian u bëri thirrje sot pesë vendeve të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo thirrje është pjesë e Rezolutës së miratuar nga ky Parlament, i cili refuzoi ndërkaq kërkesën e disa deputetëve që në dokumentet e Parlamentit Evropian, Kosova të përfshihet me shënimin që ishte pjesë e marrëveshjes së arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale. Parlamenti Evropian është i vetmi institucion i BE-së që Kosovës i referohet me emrin e saj kushtetues si Republika e Kosovës.

Në Rezolutë është përfshirë edhe një ftesë bërë Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që të mundësojë pjesëmarrjen e sportistëve nga Kosova në Lojërat Olimpike të këtij viti në Londër.

Parlamenti i ka bërë thirrje Kosovës që të marrë masa ndaj përgjegjësve për siç thuhet, mashtrimet në procesin zgjedhor dhe të bëjë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Parlamenti ndërkaq, i bëri thirrje Komisionit Evropian që sa më parë t’i dorëzojë Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe të mos vonohet me studimin e fizibilitetit për Kosovën.

Të martën, Komisionar për zgjerim i Bashkimit Evropian Stefan Fule u dorëzoi autoriteteve të Kosovës dokumentin për fillimin e këtij studimi, që nënkupton përmbushjen e kritereve që Kosova të përfshihet në marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.

Parlamenti Evropian miratoi sot një rezolutë edhe për Serbinë, në të cilën i bëhet thirrje asaj që të përmbahet nga zhvillimi i zgjedhjeve lokale në Kosovë, meqë një veprim i tillë bie ndesh me rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Parlamenti Evropian ka shprehur mbështetjen për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Kosovës, duke kërkuar zbatimin e plotë të marrëveshjeve të deritashme.

Parlamenti Evropian ritheksoi mbështetjen për rrugën evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit, përfshirë Kosovën dhe Serbinë.

XS
SM
MD
LG