Lidhje

Papa, letër kundër abuzimit seksual të fëmijëve


Papa Françesku tha të hënën se duhet bërë çdo përpjekje që kultura e Kishës Katolike të pengojë abuzimin seksual të fëmijëve nga klerikët, dhe për të siguruar që nëse abuzime të tilla ndodhin, ato nuk do të mbulohen.

Komentet e Papës u bënë në një letër drejtuar më shumë se një miliard katolikëve të botës, në përgjigje të publikimeve të fundit lidhur me abuzimet nga ana e klerikëve.

Javën e kaluar, në një raport të jurisë së madhe në Shtetet e Bashkuara thuhej se më shumë se 300 priftërinj kishin abuzuar ndaj mëse 1,000 fëmijëve në gjashtë dioqeza të Pensilvanisë gjatë një periudhe 70 vjeçare.

Asnjëherë më parë Papa Françesku nuk u ka shkruar të gjithë katolikëve. Letra e tij u publikua në shtatë gjuhë.

"Megjithëse mund të thuhet se shumica e këtyre rasteve i përkasin të kaluarës, me kalimin e kohës, ne kemi arritur të njohim dhimbjen e shumë viktimave", shkruante Papa.

Ai shkruante se me "turp dhe pendim" Kisha Katolike e pranon se nuk veproi në kohën e duhur dhe e kupton dëmin e madh që abuzuesit kanë bërë ndaj kaq shumë njerëzve.

Papa Françesku shkruante se "asnjë përpjekje për të kërkuar falje dhe për të ndrequr dëmin e bërë nuk do të jetë ndonjëherë e mjaftueshme".

Letra nuk përmend ndonjë masë të re që mund të miratohej nga kisha.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG