Lidhje

Papa Françesku sërish në ishullin Lesbos gjatë vizitës së tij në Greqi


Papa Françesku do të shkojë përsëri në ishullin grek Lesbos gjatë në një vizite në Qipro dhe Greqi. Në vitin 2016 ai kishte shkuar në atë ishull, kur ishte i mbushur me mijëra refugjatë dhe emigrantë që përpiqeshin të hynin në Bashkimin Evropian.

Papa Françesku, tashmë në moshën 84 vjeçare, i rikthehet rajonit përgjithësisht të krishterë ortodoks, ku vizitat papale janë jashtëzakonisht të rralla. Gjatë vizitës së tij të mëparshme në Lesbos, ai vizitoi kampin e refugjatëve në Moria, i cili u dogj më vonë në shtator 2020, duke lënë rreth 12 mijë refugjatë në qiell të hapur, ndërsa afronte stina e dimrit.

Pritja e papës po përgatitet tashmë në zonën Mavrovouni, ku ende gjenden refugjatë që mbetën të pastrehë nga zjarri, si dhe refugjatë të rinj që kanë mbërritur në vazhdim.

Papa Françesku sërish në ishullin Lesbos gjatë vizitës së tij në Greqi
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:51 0:00

Christian Tango Muyaka, azilkërkues nga Kongo, është katolik dhe u përzgjodh së bashku me dy vajzat e tij për të marrë pjesë në shërbesën që do të drejtojë papa në kamp.

"Prania e tij na jep forcë shpirtërisht. Na jep shpresë, ngushëllim. Na forcon besimin. Jetojmë si emigrantë, si refugjatë, kështu që ardhja e tij na jep pak shpresë", thotë zoti Muyaka.

Sipas nëndrejtorit të kampit, aty gjenden tashmë rreth 2200 emigrantë, pra shumë më pak nga ç'ishin gjatë vizitës së parë të papës në vitin 2016. Shumica janë nga Afganistani dhe disa vende afrikane. Mbipopullimi në Moria u lehtësua pasi disa vende evropiane ranë dakort pas zjarrit të pranonin të miturit dhe familjet me fëmijë. Njëkohësisht, Greqia përshpejtoi proçedurat për t'i tërhequr njerëzit nga ishulli.

"Mendoj se do të shohë tashmë fytyra të qeta. Nuk guxoj të them të gëzuara, por me siguri të qeta", thotë Dimitris Vafeas, nëndrejtor i kampit në Mavrovouni.

Guvernatori për rajonin e Egjeut Verior, ku përfshihet edhe Lesbos, thotë se vendasit e shohin me shqetësim vizitën e papës.

"Jemi shumë të kënaqur dhe shumë të nderuar nga vizita e tij. Vetëm se popullsia në Lesbos beson se ajo mund të sjellë më shumë emigrantë në Lesbos", thotë Costas Moutzouris, guvernator i Egjeut Verior.

Sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2016 mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë, emigrantët që mbërrijnë në ishujt grekë nga bregdeti turk, do të qëndrojnë në këta ishuj derisa të përpunohen kërkesat e tyre për azil. Më pas ata dërgohen drejt Evropës, ose deportohen.

Greqia është alarmuar nga veprimet e Turqisë vitin e kaluar, e cila shpalli se kufijtë e saj me Evropën ishin të hapur dhe dërgoi mijëra emigrantë drejt kufirit grek. Greqia ka ashpërsuar politikën e saj për emigracionin, ka shtuar patrullimin e kufijve të saj tokësorë dhe detarë dhe ka ashpërsuar ligjet për azilin dhe veprimtarinë e organizatave të ndihmave.

Grupet e të drejtave të njeriut e kanë akuzuar Greqinë për deportime të paligjshme masive, ose kthimin në ujërat turke të emigrantëve, në mënyrë që të mos kenë mundësi të aplikojnë për azil. Qeveria greke mohon të ketë ushtruar praktika të tilla dhe thotë se mbron me vendosmëri kufijtë e saj dhe u ndalon hyrjen personave që përpiqen të kalojnë ilegalisht.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG