Lidhje

Përgatitjet e spitaleve për sëmundjet pandemike


Sindroma e Rrugëve të Frymëmarrjes të Lindjes së Mesme ose MERS, ka infektuar më shumë se 500 njerëz që kur u identifikua për herë të parë në vitin 2012. Rreth 30 për qind të infektuarve vdesin. Rritja e menjëhershme e numrit të rasteve gjatë muajve të fundit dhe faki që njerëz në Azi, Evropë dhe Amerikën e Veriut janë infektuar me virusin, ka ngritur shqetësime se situata mund të përkeqësohet.

Pandemia e fundit ndodhi në vitin 2009, me virusin e gripit H1N1. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se MERS do kohë që të bëhet pandemike. Shumica e rasteve kanë ndodhur në Arabinë Saudite, mes njerëzve në kontakt të afërt me pacientët me MERS ose me devetë të prekur nga ky virus.

Një virus, megjithatë, mund të ndryshojë në çdo kohë, kështu që zyrtarët e shëndetësisë, si Dr. Lamar Hasbrouck, thonë se shqetësimi është i justifikuar.

“Është një virus i ri. Ka një shkallë shumë të lartë vdekshmërie. Ne kemi nevojë të mësojmë më shumë se sa e lehtë është të përhapet, dhe cilat janë disa nga shenjat dhe simptomat.”

Shumë spitale tashmë kanë plane për të parandaluar përhapjen e virusit. Në spitalin “Johns Hopkins” në Baltimore, kjo është përgjegjësia e Dr. Gabe Kelen për të siguruar që plani do t’i mbrojë të 46 mijë punonjësit e universitet, spitalit dhe klinikave të tij.

“Nuk jam shumë i shqetësuar, por masat po i marrim për t’i paraprirë çdo rreziku”.

Kjo nuk vlen vetëm për sindromën MERS, por për çdolloj sëmundjeje ngjitëse.

“Kur dikush vjen në departamentin e emergjencës me një sëmundje që duket si grip, ne tashmë kemi një protokoll për t’i kontrolluar ata dhe nëse besojmë se kanë një infeksion serioz, i izolojmë, dhe u vëmë një maskë. Kushdo që shkon paskëtaj që të merret me këtë pacient merr disa masa paraprake.”

Mjekët, apo edhe pastruesit, të duhet të veshin mushama, dorashka dhe maska të veçanta.

Disa vite më parë, gjatë pandemisë së gripit H1N1, spitalet ngritën klinika të veçanta jashtë dhomave të urgjencës për të diagnostikuar pacientë të dyshuar se kanë grip. Kjo praktikë do të mund të rivendoset për të parandaluar përhapjen e virusit.

“Sa më shpesh të përhapet, aq më shumë replikohet virusi. Dhe sa më shumë të replikohet dhe në mbartës të ndryshëm, ka më shumë të ngjarë që përbërja gjenetike e tij të ndryshojë.”

Pas përhapjes së sindromës akute të rrugëve të frymëmarrjes, ose SARS, më shumë se një dekadë më parë, bota mësoi se një sëmundje ngjitëse diku, përbën një sfidë shëndetsore për çdo vend, sidomos për shkak të udhëtimit ajror. Vendet mësuan se duhej të ndanin informacion në lidhje me sëmundjet në mënyrë për t’i kontrolluar ato.
Në tetor, Arabia Saudite do të presë miliona myslimanë për një pelegrinazh fetar. Zyrtarët e shëndetësisë në të gjithë botën do të ndjekin me kujdes.

XS
SM
MD
LG