Lidhje

Shqipëri: Opozita dhe qeveria kthejnë vëmendjen nga privatizimet


Shqipëri: Opozita dhe qeveria kthejnë vëmendjen nga privatizimet
Shqipëri: Opozita dhe qeveria kthejnë vëmendjen nga privatizimet

Opozita socialiste deklaroi sot se do të vazhdojë protestat nga java e ardhshme duke kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe ndëshkim të korrupsionit shtetëror. Kryetari i Partisë Socialiste të PS, Edi Rama, shprehu dyshime se qeveria po përgatitet që të privatizojë me rrugë korruptive mbi një mijë e 200 objekte shtetërore, duke e quajtur këtë si një arësye të re për protetsat opozitare. Zoti Rama publikoi këto dyshime për korrupsion vetëm një ditë pasi qeveria shpalli listën e objekteve.

“Ne do të vazhdojmë të protestojmë paqësisht dhe vendosmërisht në 18 shkurt dhe më tej, duke kërkuar goditjen e korrupsionit qeveritar, që mund të ndalet vetëm me zgjedhje të reja”, tha ai.

Partia Socialiste anulloi sot 3 tubime të paralajmëruara në Durrës, Fier dhe Elbasan, por ka njoftuar se pas një jave do të zhvillojë një tjetër tubim në kryeqytet. Kryetari i PS, Edi Rama nuk pranoi sot pyetje nga gazetarët, ndërsa deputetët e partisë së tij u larguan dje nga parlamenti pas grindjeve me deputetë të Partisë Demokratike. Pas largimit të deputetëve socialistë parlamenti votoi një dyzinë ligjesh kundër dhunës ndaj grave, kundër trafikimit të drogave dhe kundër përmbytjes së Shkodrës. U miratuan po ashtu ligje për ekonominë dhe bashkëpunimin ekonomik të Shqipërisë me vende të tjera.

Qeveria deklaroi dje se do të ecë drejt privatizimit të plotë të aksioneve shtetërore në ndërmarrje të vogla e të mesme. Kryeministri Sali Berisha tha se për këto privatizime qeveria po merr ndihmën dhe konsulencën shkencore të filialeve të Bankës Botërore dhe kompanive të njohura ndërkombëtare për procedura privatizimi që do të kryehn sipas ligjeve me ankande. Ai tha se me fondet që do të mblidhen nga shitjet, qeveria do të kryejë investime të reja në infrastrukturë, si tuneli i Elbasanit dhe autostradat e jugut. Privatizimet kanë marrë një nxitje të madhe çdo fillim viti nga qeveria, por me kalimin e kohës shumë prej atyre shitjeve të shumëpritura janë vonuar për shkak të procedurave dhe të parregullsive të konkurrentëve në tendera.

Skena politike në Shqipëri po mbetet e tensionuar prej disa javësh pas ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit, dhe deri tani nuk po ndikojnë dukshëm në qetësimin e gjendjes dhe as në rikthimin e dialogut asnjë këshillim apo ndërmjetësim vendas e i jashtëm. Ndërkohë që prokuroria po vazhdon hetimet teknike, të dyja palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për ngjarjen ku humbën jetën 4 demonstrues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë civilë e ushtarakë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG