Operacioni bajpas në stomak, mund të jetë mënyra më e mirë për të luftuar diabetin e tipit 2. Qëndra për kontrollin e sëmundjeve (CDC) parashikon se ky operacion mund të përdoret për trajtimin e diabetit të tipit 2. Miliona amerikanë vuajnë nga ky lloj diabeti dhe nga kjo procedurë brenda 50 vjetëve të ardhshëm mund të afektohet rreth 1 e treta e amerikanëve të rritur. Një grup ekspertësh të shëndetësisë e mbështetën këtë mënyrë trajtimi kirurgjik duke e quajtur si rrugën më të mirë për të luftuar Diabetin. Kolegu Astrit Lulushi sjell hollësi.
Mjekët kanë zbuluar se operacioni bajpas në stomak mund t'a shërojë thuajse menjëherë pacientin me diabet të tipit 2.
Dr. Phil Schauer i klinikës së Klevelandit, thotë se pacienti mund ta ndërpresë marrjen e insulinës brenda pak orëve pas operacionit.
Gjatë operacioni gastrik bajpas, mjekët zvogëlojnë stomakun kështu që personi ha më pak. Gjatë operacionit, mjekët shkurtojnë zorrën dhe kjo e bën pacientin të marrë më pak kalori. Por në ç'mënyrë kjo procedurë normalizon nivelin e sheqerit në gjak, kjo nuk është e qartë. Doktor Schauer thotë se efekti i shpejtë i këtij operacioni ka të ngjarë se shkaktohet nga një hormon që prodhohet nga lëngjet gastrike në zorrë.
Katy Wiley ka vuajtur nga diabeti për 16 vjet. Ajo ishte mbi peshë dhe si pasojë e sëmundjes e kishte të vështirë të kryente rregullisht ushtrime fizike. Pak pas operacionit bajpas në stomak, Katy nuk kishte më nevojë të merrte insulinë dhe shumë shpejt humbi rreth 35 kilogram të peshpës së tepërt trupore. Nga mos marrja e insulinës - tani e shëndetëshme - ajo ka shpëtuar nga shpenzimet mjekësore dhe punon çdo ditë.
Virusi i të ftohurit dhe kanceri
Mijëra shkencëtarë janë duke u përpjekur për t'i dhënë fund kancerit në nivel mikroskopik. Shkencëtarë në Institutin Salk për Studime Biologjike kanë zbuluar se virusi që shkakton të ftohurit e zakonshëm mund të përdoret për të goditur qelizat kanceroze.
Çdo ditë, 3400 njerëz në Shtetet e Bashkuara diagnostikohen me kancer dhe 1500 të tjerë vdesin nga kjo sëmundje.
Një studim i ri botuar në revistën Natyra jep hollësi se si shkencëtarët përdorin virusin e të ftohurit të zakonshëm për të goditur qelizat kanceroze në trupin e pacientit.
Zakonisht, një qelizë e parregullt është programuar për t'u vetëshkatrruar që tumori ose infeksioni të mos përhapet. Shkencëtarët thonë se një gjen i quajtur P53, vret qelizat e dëmtuara para se ato të shumëfishohen.
Por, tumoret mund t'a paaftësojnë gjenin P53. Edhe virusi që shkakton të ftohurit e zakonshëm është gjithashtu në gjendje t'a bëjë të paaftë këtë gjen. Gjatë punës së tyre, shkencëtarët e modifikuan virusin e të ftohurit duke eleminuar aftësinë e tij për të nxjerrë jashtë përdorimit gjenin P53 - pastaj virusin e ndryshuar e futën në qelizën kanceroze. Shkencëtarët vunë re se virusi vrau qelizat e dëmtuara, pa prekur qelizat e shëndetëshme. Autorët e studimit thonë se këto rezultat mund t'u vijnë në ndihmë mjekëve për të përdorur mënyra të reja për të goditur tumoret dhe për të penguar përhapjen e kanncerit.
Rritja e Numrit te Recetave për fibrate
Miliona amerikanë marrin barna me recetë për uljen e nivelit të kolesterinës. Fibratet janë një grup barnash që mjekët rekomandojnë për pacientët që nuk mund të marrin barna të grupit Statin, gjithashtu për uljen e kolesterinës. Fibratet shpesh u shtohen barnave statin në raste të një terapie të kombinuar.
Por studimet e kohëve të fundit tregojnë se shtimi i Fibrateve në barna Statin nuk sjell ndonjë përmirësim tek pacientët me nivel të ulët kolesterine që kanë edhe diabet. Megjithatë, rezultatet e një studimi botuar në JAMA (Revista e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë), tregon se recetat për barna Fibrate u rritën më shumë se 117 përqind gjatë vitit 2009 në SHBA, ndërsa në Kanada niveli i përdorimit të Fibrateve nuk ndryshoi.
Disa ekspertë shqetësohen se kjo rritje tregon një triumf të marketingut ndaj mjekësisë. Rreth disa barnave për uljen e kolesterinës ekzistojnë edhe shqetësime të tjera. Disa thonë se ato u reklamohen pacientëve nga mjekët dhe kompanitë farmaceutike pa u provuar si të efektshme a përfituese për shëndetin.