Lidhje

Operacion anti-drogë në Shqipëri dhe Kosovë


Në Shqipëri një operacion i Prokurorisë së Krimeve të rënda dhe policisë bëri të mundur sot goditjen e një rrjeti të trafikut të drogës të shtrirë dhe në Kosovë dhe sekuestrimin e mbi 40 kilogramëve kokainë dhe heroine në të dy vendet.

Prokuroria shqiptare njoftoi se ajo vendosi të ndërhynte sot pas informacioneve paraprake mbi veprimtarinë e këtij grupi. Në mëngjes në pikën e kalimit kufitar të Morinit, u bë arrestimi i një personi në mjetin e të cilit u gjendën 7 kilogram kokainë.

Më pas operacioni ka vazhduar në banesën e Gëzim Çelës, person i cili dyshohet të jetë në krye të rrjetit. Në flagrancë u arrestua vëllai i tij, ndërsa në banesën pranë Mamurrasit, u gjetën 15 kilogram heroinë, mbi 100 kilogram marijuane si dhe një arsenal armësh dhe substancash për përpunimin e drogës.

Paralelisht në Kosovë u sekuestruan edhe 18 kilogram të tjera kokainë, ndërsa u arrestuan katër persona mes të cilëve një shtetase nga Shqipëria.

Sipas Prokurorisë droga trafikohej nga vendet e Amerikës Latine dhe kishte si destinacion shtetet e Bashkimit europian.
XS
SM
MD
LG