Lidhje

Dita e pestë e Lojrave Olimpike në Rio


Sot është dita e pestë e Lojrave Olimpike të Rios dhe pritet të jetë e mbushur me gara interesante në disa nga sportet më të ndjekura.

Ekipi amerikan pritet të vazhdojë të marrë medalje në gjashtë gara noti, kryesuar nga yjet e këtij sporti Michael Phelps dhe Katie Ledecky.

Garat e notit

Ledecky do të kryesojë ekipin e femrave në finalen e stafetës 4 herë 200 metra stil i lirë, një garë që Shtetet e Bashkuara e fituan në Lojrat Olimpike të Londrës në vitin 2012.

Ajo fitoi medaljen e dytë të artë në lojrat olimpike, në 200 metra stil i lirë.

Notaret Cammile Adams dhe Hali Flickinger do të përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara në finalen e 200 metërshit stil flutur. Kevin Cordes dhe Josh Prenot do të konkurrojnë në 200 metërsh stil bretkosë për meshkuj, ndërsa Caleb Dressel dhe Nathan Adrian përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara në 100 metra stil i lirë.

Phelps, që fitoi dje medaljet e tij të 20 dhe 21-ta të arta, dhe notari tjetër amerikan Ryan Lochte do të marrin pjesë në eliminatoret për 200 metra stil i përzierë, me synimin për të siguruar pjesëmarrjen në finale të enjten.

Phelps është sportisti me më shumë medalje në historinë e Lojrave Olimpike.

Notarja hungareze Katinka Hosszu fitoi medaljen e tretë të artë dhe vendosi një rekord të ri olimpik pasi fitoi në garën e përzierë individuale 200 metra për 2 minuta, 6 sekonda e 58 të qindtat.

Futboll

Brazilit i duhet të fitojë ose të eliminohet kur ekipi kombëtar i meshkujve përballet me Danimarkën sot në mbrëmje. Brazili ka luajtur në dy ndeshje që kanë përfunduar në barazime pa asnjë gol me Irakun dhe Afrikën e Jugut, dy ekipe që në përgjithësi shihen si inferiore ndaj Brazilit.

Gjimnastikë

Ekipi amerikan i femrave në gjimnastikë mori medaljen e artë për herë të dytë me radhë në Lojrat Ollimpike.

Ishte një paraqitje e shkëlqyer e ekipit me dy orë precision dhe klas, dhe një përcjellje e denjë për koordinatoren e kombëtares, Martha Karolyi, për të cilën këto lojra janë të fundit. Rezultati i tyre 184.897 ishte më shumë se tetë pikë më i lartë se ai i Rusisë që mori medaljen e argjendit.

Dhe vetëm një ditë pasi ekipi amerikan i femrave fitoi medalje ari në finale, ekipi i meshkujve do të konkurrojë në raundin final të garës individuale. Kampioni aktual, Kohei Uchimura i Japonisë shihet si pretendenti kryesor për të fituar medalje ari.

Basketboll

Kapitenit të ekipit amerikan Carmelo Anthony i duhen vetëm 12 pikë për të siguruar titullin si lojtari me më shumë pike në historinë olimpike të Shteteve të Bashkuara kur kombëtarja të përballet me Australinë sot në mbrëmje. Në lojën e fundit të hënën, Shtetet e Bashkuara fituan bindshëm ndaj Argjentinës me rezultatin 113-69.

XS
SM
MD
LG