Lidhje

OKB: Sëmundjet kronike, jo-ngjitëse më vdekjeprurëset në botë


OKB: Sëmundjet kronike, jo-ngjitëse më vdekjeprurëset në botë
OKB: Sëmundjet kronike, jo-ngjitëse më vdekjeprurëset në botë

Sëmundjet kronike joinfektive si kanceri, sëmundjet e zemrës, infarkti, dhe diabeti janë në rritje dhe po shkaktojnë vdekjen e shumë personave në vendet me të ardhura të ulëta ose mesatare, thuhet në një raporti të ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Raporti i Organizatës Botërore të Shendetësisë mbi sëmundjet vdekjeprurëse thotë se në vitin 2008, më shumë se 63 përqind e atyre që vdesin në mbarë botën, më shumë se 36 milionë njerëz, nga sëmundjet joinfektive. Në raport thuhet se 80 përqind e këtyre vdekjeve janë raportuar në vendet në zhvillim.

Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë tha se sëmundjet ngjitëse si sida dhe turbokulozi nuk janë sëmundje që përbëjnë kërcënimin më të madh global të shëndetit publik. Kërcënimi më i madh vjen nga sëmundjet jo ngjitëse të cilat shpesh shkaktohen nga dieta e varfër dhe stili i jetës, ndikimi i mjedisit ose përbërja gjenetike.

Në shumë pjesë të botës, numri i rasteve të sëmundjeve jo ngjitëse po rritet, dhe abuzimi i duhanit dhe alkoholit vetëm se kanë rritur këtë problem.

Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë thotë se miliarda dollarë të shpenzuara çdo vit për trajtimin e sëmundjeve kronike si kanceri, sëmundjet e zemrës dhe diabeti po i shtyjnë miliona njerëz në vendet në zhvillim poshtë kufirit të varfërisë.

Drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Shëndetësisë, Margaret Çen, thotë se duhet t’i kushtohet vëmendje më e madhe lidhjes mes këtyre sëmundjeve vdekjeprurëse dhe mirëqenies ekonomike të popullsisë së vendeve me të ardhura të ulëta dhe mesatare.

“Për disa vende nuk është ekzagjerim të thuhet se ato janë në një situatë, e cila pritet të shndërrohet në katastrofë për shëndetin, shoqërinë dhe ekonomitë kombëtare. Sfida e luftimit të sëmundjeve jo-ngjitëse ka marrë dimensione të paprecedentë”.

Ekspertët thonë se ndryshimet demografike janë shkaku kryesor i sëmundjeve jo-ngjitëse. Në shumë vende në zhvillim, popullsia po rritet dhe plaket me shpejtësi, si dhe po përqafon më shumë stilin urban të jetës.

Eksperti i sëmundjeve kronike, Dr. James Hospedales, thotë se problemi nga sëmundjet jo ngjitëse është më i përhapur se sa ç’mendojnë njerëzit. Ai thotë se ato janë problem madhor në vende të mëdha si Shtetet e Bashkuara, India, Kina, mbarë Amerika Latine dhe rajoni i Mesdheut.

Ndërkohë që sëmundjeve ngjitëse u kushtohet më shumë vëmendje në Afrikë, Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë përllogarit se aty nga viti 2020 sëmundjet kronike do kalojnë sëmundjet ngjitëse për nga numri i vdekjeve që shkaktojnë në shumë vende të Afrikës.

Dr. Hospedales vuri në dukje se në vendet e vogla si Trinidadi dhe Tobago ose Barbadosi, kostoja e shëndetit publik për trajtimin e tensionit të lartë dhe diabetit është rritur mes 5 dhe 8 përqind të prodhimit të brendshëm të këtyre vendeve.

“Kjo nuk është e qendrueshme, dhe nëse vazhdon, mund të shkatërrojë shërbimet shëndetësore në shumë vende. Nuk mund të presim deri në zgjidhjen e problemit të virusit hiv dhe malaries. Varet nga ne. Në fakt, një nga kontribuesit e mëdhenj të rritjes së turbokulozit në disa vende është rritja e diabetit dhe obezitetit, kështu që ekziston një lidhje mes diabetit dhe turbokulozit”.

Dr. Hospedales thotë se udhëheqësit e disa vendeve me të ardhura të ulëta dhe mesatare kanë filluar ta kuptojnë se politikat kombëtare të shëndetësisë duhet të përqëndrohen më shumë në parandalimin e sëmundjeve.

Ai thotë se këta udhëheqës e kanë kuptuar se dieta e thjeshtë dhe ndryshimet në stilin e jetës mund të ulin faktorët e rrezikut për infarkt, kancer, diabetin dhe sëmundjet kronike të frymëmarrjes si azma dhe bronkiti.

“Organzata Botërore e Shëndetësisë përllogarit se mbi 30 milionë jetë mund të shpëtohen në 10 vitet e ardhshme nga marrja e masave të thjeshta, si pakësimi i nivelit të kripës me 15 ose 20 përqind, pakësimi i sasisë së duhanit dhe rritja e numrit të njerëzve të cilët janë në rrezik nga infarkti që është i shërueshëm përmes trajtimeve parandaluese. Këto tre masa mund të shpëtojnë 30 milionë jetë në 10 vitet e ardhshme.”

Zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se raporti i agjencisë së OKB-së mbi sëmundjet jo ngjitëse, me vlerësimin e tij të sëmundjeve jongjitëse në çdo vend, ka për qëllim edukimin e atyre që bëjnë politikat, industrisë, udhëheqësve të shoqërisë civile dhe publikut rreth nevojave për një përgjigje të koordinuar ndaj këtyre kërcënimeve të shëndetit publik.

Në muajin shtator Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të organizojë takimin e parë të nivelit të lartë mbi Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve Jo-ngjitëse në Nju Jork.

XS
SM
MD
LG