Zyrtarë të sigurisë thanë se personi që shpërtheu një bombë artizanale në metronë e New Yorkut, kishte ndjekur propagandën e Shtetit Islamik në internet dhe u tha hetuesve se kishte vepruar në shenjë hakmarrjeje ndaj agresionit ushtarak të Shteteve të Bashkuara.
Autoritetet e identifikuan të dyshuarin si 27 vjeçarin Akayed Ullah, një imigrant nga Bangladeshi dhe ish shofer taksie. Ata thanë se ai kishte të lidhur në trup një "pajisje shpërthyese të improvizuar të teknologjisë së ulët", që nuk shpërtheu e tëra.
Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë sulmuesin që po ecte në mesin e turmës dhe pastaj tymin që mbushi zonës pas shpërthimit të pajisjes. Ai shihet i shtrirë në tokë derisa njerëzit përreth po iknin.
"Ky ishte një sulm terrorist në tentativë", tha kryebashkiaku New Yorkut, Bill de Blasio. "Falë Zotit që autori nuk e përmbushi synimin e tij".
Albert Fox Cahn, drejrori ligjor i Këshillit për marrëdhëniet Amerikano-Islamike në Neë York, lëshoi një deklaratë në emër të familjes së Ullahut. Në të thuhet se ata janë "zemërthyer nga dhuna që u shënua sot në qytetin tonë dhe nga akuzat që bëhen kundër një anëtari të familjes sonë".
Ullah kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet një programi vizash për njerëzit që kanë të afërm që janë shtetas ose banorë të përhershëm.
Presidenti Donald Trump tha se sulmi i së hënës tregon nevojën që Kongresi të kalojë reformat e imigracionit, "për të mbrojtur qytetarët amerikanë".
Ambasada e Bangladeshit në lëshoi një deklaratë duke dënuar sulmin e së hënës.
"Qeveria e Bangladeshit është e përkushtuar ndaj politikës së saj për 'zero tolerancë' ndaj terrorizmit dhe dënon terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm në të gjitha format që shfaqet kudo në botë", thuhet në deklaratë.
Ky ishte sulmi i dytë në New York në dy muajt e fundit.
Një simpatizues i ISIS-it përplasi kamionin në shtegun e çiklistëve në Manhattan në muajin tetor duke lënë pas vetes tetë të vrarë.
Facebook Forum