Lidhje

Victoria Nuland bisedon me udhëheqësit e Kosovës për marrëdhëniet me Serbinë dhe Malin e Zi


Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit Victoria Nuland, citohet t'u ketë thënë udhëheqësve politikë të Kosovës se është e nevojshme që para vjeshtës Kosova të përmbushë detyrimet e saj në procesin e integrimeve evropiane. Zonja Nuland takoi sot drejtuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës për të diskutuar procesin e integrimeve, atë të bisedimeve me Serbinë, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe kundër terrorizmit.

Zonja Nuland nuk foli pas takimeve, por në komunikatat e lëshuara nga zyrat e udhëheqësve të Kosovës, ajo citohet të ketë kërkuar më shumë përparim në luftimin e korrupsionit duke nënvizuar se drejtësia është përparësi për Shtetet e Bashkuara.

Ajo tha se "vëmendja e Bashkimit Evropian është zhvendosur nga rajoni i Ballkanit, ndërsa Shtetet e Bashkuara në vjeshtë do të jenë të përqendruara në zgjedhjet presidenciale, prandaj vendet e Ballkanit Perëndimor duhet që vetë të ndërmarrin hapat e nevojshëm për konsolidimin e shteteve të tyre, por edhe të marrëdhënieve të tyre. Është mirë që Kosova të bëjë hapat e nevojshëm para vjeshtës dhe kështu të ruajë momentumin e zhvillimeve pozitive”, citohet të ketë thënë ajo, duke theksuar rëndësinë e përmbylljes së çështjes së shënimit të kufirit me Malin e Zi si një proces shumë i rëndësishëm për hapjen e ardhmërisë euro integruese të Kosovës.

Mikpritësit e saj thuhet të kenë shprehur gatishmërinë për të çuar përpara këtë proces, i cili ishte një nga temat që çoi në krizën më të thellë politike në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë së saj.

Opozita pohon se marrëveshja e nënshkruar në gusht të vitit 2015, e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi i saj me gjithë vlerësimet edhe ndërkombëtare se shënimi i kufirit është në pajtim më dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaci edhe sot tha se qeveria dhe Parlamenti duhet ta përmbyllin këtë detyrim në ditët e ardhshme dhe se "kjo çështje pa të drejtë është kthyer në një çështje politike që po dënon qytetarët e Kosovës duke ua vonuar liberalizimin e vizave, por duke e vonuar edhe konsolidimin e shtetit”.

Udhëheqësit e Kosovës thanë po ashtu se vendi mbetet i përkushtuar në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, por edhe në përmbylljen e procesit të ndërtimit të arkitekturës së sigurisë, përfshirë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

XS
SM
MD
LG