Organizata Shqiptaro-Amerikane e Grave “Motrat Qiriazi” nderoi të shtunën mbrëma në Nju Jork disa aktivistë dhe grumbulloi fonde për një muze hebraik në Prizren. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në Nju Jork dhe na dërgoi këtë kronikë:
“Motrat Qiriazi”, një organizatë e hershme e grave shqiptaro-amerikane mblodhi mbrëmë në Nju Jork aktivistë dhe donatorë për të shpërndarë disa çmime vjetore.
Avokatja Beti Beno është presidente e organizatës.
“Është një organizatë që merret me emancipimin e gruas. Gjithashtu kemi ndihmuar shkollat, artin, kulturën dhe u përgjigjemi kërkesave të komunitetit duke qenë të pranishëm në plotësimin e këtyre kërkesave.”
Por të shtunën, organizata u mblodh me një mision të veçantë. Përveçse nderoi me çmime disa personalitete shqiptaro-amerikane, ajo ndihmoi në grumbullimin e fondeve për një muze shqiptaro-hebraik që do të shërbejë edhe si qendër e Bashkësisë Hebraike të Kosovës.
Fjala është për rinovimin e një ndërtese të vjetër në Prizren që bashkiua e qytetit i ka dhënë për përdorim Bashkësisë Hebraike të Kosovës.
Biznesmenët e Nju Jorkut, Harry Bajraktari dhe Rrustem Gecaj, janë kryesorët që po mbështesin me fonde këtë projekt, i cili do t’i shërbejë qëllimit humanitar të promovimit të tolerancës.
Zoti Bajraktari thotë se ky muzeum dhe qendër komunitare do të tregojnë historinë e hebrenjve shqiptarë si dhe historinë e Besës dhe bujarisë shqiptare.
“Rrustem Gecaj dhe unë jemi angazhuar të grumbullojmë 50 mijë dollarë për muzeumin. Deri tani, kemi mbledhur mbi 30 mijë dhe deri në fund të këtij muaji do të arrijmë shumën 50 mijë. Ju falenderoj për bujarinë tuaj.”
Projekti realizohet me mbështetjen e ligjvënësit Eliot Engel, kryetar i komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve. Në emër të ligjvënësit, foli bashkëshortja e tij, Patricia Engel.
“Ngritja e një muzeu të ri të bukur në një vend me shumicë myslimane në një qytet me tre fe monoteiste tregon se është e mundur që njerëz me besime të ndryshme të jetojnë së bashku në paqe dhe harmoni.”
Teuta Sahatçija është përfaqësuese diplomatike e Kosovës në Nju Jork.
“Qeveria e Kosovës e ka dhënë ndërtesën. Komuna i ka dhënë të gjitha lejet. Por ajo ndërtesë, me ndihmën tuaj do të bëhet shtëpi... Shqiptarët edhe kësaj here dëshmojnë që jo vetëm në Luftën e Dytë Botërore i kanë shpëtuar hebrejtë prej holokaustit, por dëshmojnë çdo ditë që janë afër, që njerëz të ndershëm, që janë aty kur dikujt i nevojitet.”
Organizata e grave “Motrat Qiriazi” nderoi një numër personalitetesh që luajnë rol të dalluar në komunitetin shqiptar.
Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, shprehu mbështetje për organizatën.
“Do të dëshiroja të shprehja mirënjohje për të gjithë ju që shpesh në mënyrë vullnetare ndihmoni për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe, kulturën dhe traditën shqiptare.”
Në mbrëmjen festive, sopranoja Lindita Mezini Lole u nderua me çmimin Gruaja e Vitit; Afërdita Osmani Mësuese e Vitit, Dino Erbeli për filantropi, në mbështetje të Fondit për Fëmijët pranë Organizatës së Grave Shqiptaro-Amerikane dhe pianistja Hermira Gjoni për kontribut të shquar në Arte dhe Edukim.
Qendra Shqiptare e të Rinjve u nderua me një çmim për Ndikimin në Komunitet dhe Angazhimin Civil.
Facebook Forum