Lidhje

Në Shqipëri priten rezultatet e votimeve të Tiranës, Basha ende në krye


Në Shqipëri priten rezultatet e votimeve të Tiranës, Basha ende në krye
Në Shqipëri priten rezultatet e votimeve të Tiranës, Basha ende në krye

Në Shqipëri e gjithë vëmendja është përqëndruar në Tiranë ku po numërohen kutitë e fundit të garës për kryetarin e ardhshëm të bashkisë së kryeqytetit. Që prej natës së mbrëmshme kandidati demokrat Lulzim Basha vazhdon të ruajë një avantazh prej disa qindra votash ndaj kryetarit aktual të bashkisë Edi Rama. Në Tiranë ka mbetur pa përfunduar numërimi në katër zona. Ndërsa në Durrës mbyllja e numërimit nxorri fitues kryetarin aktual të Bashkisë, kandidatin e së majtës, Vangjush Dako.

Orë tensioni në Tiranë, të cilat u shfaqën që në orët e para të ditës, kur procesi i numërimit në disa qendra, aty ku të dy palët pretendojnë të kenë respektivisht një mbështetje të dukshme, ishte bllokuar.

Nga selia e Partisë Socialiste nënkryetari i grupit parlamentar socialist Erion Brace akuzoi drejtpërdrejt demokratët se kanë bllokuar sipas tij procesin. Nuk kaloi dhe shumë dhe nga selia e Partisë Demokratike mbërriti përgjigja sipas së cilës akuzat e socialistëve ishin të pa baza dhe se Partia Demokratike është e angazhuar për të lexuar me korrektësi cdo votë.

Tensioni ishte vecanërisht në rritje në njësinë 5 të cilën socialistët e shohin si një rezervat të tyrin e ku është edhe numri më i madh i votave të panumëruara. Mjaftonte një dicka e vogël që procesi të bllokohej.

Entuziasmi duket se ka qenë më i pranishëm tek e djathta sot, ku kandidati Lulzim Basha përsëriti se numërimi po shkonte në favor të tij: "Trysnia që vjen në këtë garë të ngushtë, nuk duhet të ndërhyjë në detyrën e rëndësishme të numërimit të saktë dhe të ndershëm të çdo vote. Siç e dini, unë kam rimarrë kryesimin e garës, megjithatë, kjo nuk e ndryshon vendosmërinë time për të pritur numërimin e drejtë, transparent, të saktë, dhe të pavonesë të çdo vote".

Gjatë ditës në selinë e Partisë Socialiste pati një vizitë të ambasadorit amerikan Alexandër Arvizu. Rreth saj nuk u dha asnjë njoftim, ndërkohë që më pas ambasadori ishte dhe te kryeministri por këtu për të marrë pjesë në një takim të kreut të qeverisë shqiptare me grupin e vëzhguesve amerikanë. Kryeministri Berisha ka deklaruar se në këto zgjedhje fituan shqiptarët dhe ka vënë theksin të rëndësia e transparencës në fazën e numërimit. Kryeministri ka deklaruar se shumica mbetet e vendosur të pranojë cdo rezultat.

Të gjithë sytë janë mbërthyer në ecurinë e procesit të Tiranës, ndërkohë që në Durrës numërimi përfundoi dhe fitues u shpall kryetari aktual i Bashkisë, kandidati i së majtës, Vangjush Dako, i cili merr kështu mandatin e dytë.

Ndërkohë një e dhënë tjetër interesante, ndonëse paraprake, është që përsa i përket votave për këshillat bashkiak e komunal, koalicioni i së djathtës është në diferencë të ndjeshme nga ai i udhëhequr nga Partia Socialiste.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG