Një ndjekje ndërkombëtare për një agjent rus, të akuzuar për thurje komplotesh për atentate dhe grusht-shteti në disa vende, po hedh dritë se si janë shtuar aktivitetet e fshehta të Rusisë në mbarë Evropën, sipas analistëve të agjencive perëndimore të zbulimit.
Një gjeneral i zbulimit ushtarak rus (GRU), Denis Sergeev, i cili është nën hetime në Spanjë për rolin e tij të mundshëm në mbështetjen e lëvizjes për pavarësinë e Katalonjës, po ashtu është akuzuar si organizatori i një tentativë për vrasje në Bullgari, sipas të dhënave që prokuroria e Bullgarisë i ka dërguar policisë së Spanjës javën e shkuar.
Shërbimet britanike të kundërzbulimit kanë dyshuar prej kohësh mbi pjesëmarrjen e agjentit Segeev në një përpjekje të ngjashme për të helmuar ish-agjentin e lartë rus të arratisur në Britani, Sergei Skripal. Autoritetet në Malin e Zi e akuzojnë atë për thurjen e planeve për një grusht shteti për të bllokuar anëtarësimin e vendit të tyre në NATO.
Kremlini i ka mohuar fuqishëm akuzat. Por, analisti i mbrojtes Felix Arteaga me “Elcano Royal Institute” në Madrid thotë se aktivitetet e rusit Sergeev, “përshtaten me modelin e aktiviteteve ruse në Evropë”, për të cilat ai thotë se po shihen shenja zgjerimi.
“Ata janë zhvendosur nga veprimet e fshehta drejt veprimeve të tjera që synojnë më shumë të shfaqin influencën”, i tha zoti Artega gazetës “El Pais”.
Sipas zyrtarëve evropianë të zbulimit, Sergeev është një operativ i lartë i grupit elitar 29155 të zbulimit të ushtrisë ruse (GRU), i ngarkuar për të zhvilluar misione sensitive për Kremlinin. Dyshimet për rolin e tij në operacionet e fshehta të kohëve të fundit, janë gjurmuar përmes rekordeve mbi udhëtimet e tij me aeroplan, qëndrimit në hotele dhe kontakteve personale me agjentë të tjetë të dyshuar rusë në vende dhe orare që përkojnë me seritë e sulmeve.
Sipas autoriteteve bullgare, Sergeev, i shoqëruar nga agjentë të tjerë rusë të GRU-së zbarkuan në kryeqytetin Sofia katër ditë para se tregtari i armëve Emilian Gebrev, djali i tij dhe një tjetër drejtues i lartë në kompaninë e tij u helmuan me një agjent kimik vdekjeprurës në prill të vitit 2015.
Sipas shtypit bullgar, GRU-së i interesonte vrasja e tregtarit Gebrev, sepse ai i shiste armatime Gjeorgjisë, vend i cili pati një përplasje të armatosur me Rusinë në vitin 2008.
Të paktën tetë rusë u përfshinë në aksionin për vrasjen, sipas hetuesve bullgarë të cilët i kanë treguar policisë së Spanjës se të paktën një prej tyre është indentifikuar përmes një analize laboratorike të Byrosë Federale të Hetimeve të imazheve nga një kamera sigurie në një parkim makinash të nëndheshëm më 28 prill të vitit 2015. Imazhet tregojnë një burrë që ka vënë doreza, ndërsa spërkat me pudër dorezën e makinës së zotit Gebrev. Agjenti rus Sergeev u largua nga Bullgaria dy ditë më pas, duke fluturuar drejt Rusisë përmes Stambollit.
Ai zhvilloi dy udhëtime në Britani në vitin 2018 në datat që përkojnë me një përpjekje për të vrarë ish-agjentin rus të arratisur në Angli, Sergei Skripal, duke përdorur metoda të ngjashme me ato të përdorura ndaj bullgarit Gebrev.
Një pasaportë fallse, që Sergeev përdori për të hyrë në Britani nën emrin Sergey Fedotov, po ashtu është përdorur për dy udhëtime që ai ka bërë në Barcelonë, ku hetuesit spanjollë dyshojnë për përpjekje për të penetruar në lëvizjen për pavarësinë e Katalonjës.
Qëndrimi i tij dy javor në Barcelonë mes 29 shtatorit dhe 9 tetorit të vitit 2017, përkon me referendumin rajonal për pavarësi, të cilin qeveria qendrore e Spanjës e quajti të paligjshëm.
Hetuesit në Spanjë thonë se nuk kanë prova specifike të kontakteve të rusit Sergeev me grupet seperatiste. Por, zyrtarë të mbrojtjes në Spanjë dhe zyrtarë të inteligjencës evropiane kanë thënë se Rusia e nxiti kauzën për pavarësi me një fushatë propagandistike, ku përfshiheshin qindra mijëra mesazhe në median sociale nga hakerët që vepronin nga Rusia dhe Venezuela.
Hans Georg Maassen, i cili në atë kohë drejtonte kundërzbulimin gjerman, tha në një konferencë ndërkombëtare për sigurinë në vitin 2018, se ishte shumë e mundshme që Moska ndërmori përpjekjet dezinformuese për të tjetërsuar zhvillimet në Katalonja si pjesë e një strategjie më të madhe për të dobësuar NATO-n dhe Bashkimin Evropian.
Ndërsa Sergeev ndodhej në Katalonja, republika e sapoformuar e Osetisë së Jugut – e mbështetur nga Moska në një territor të marrë me dhunë nga Gjeorgjia – hapi një konsullatë në Barcelonë, e cila mund të ishte përdorur si një fasadë për aktivitete ruse, sipas analistëve të inteligjencës spanjolle.
Gjatë demostratave për pavarësinë në nëntor, në disa raste të dhunshme, policia spanjolle arrestoi një shtetas rus në Katalonja që kishte një granatë ruse të modelit M-75 në makinën e tij të regjistruar në Bjellorusi. Njoftimet e shtypit në Spanjë citojnë policinë të ketë thënë se ai po hetohej në lidhje me rrjetin e spiunazhit të agjentit Sergeev.
Facebook Forum