Në Shqipëri, një nga figurat dhe personazhet më të rëndësishëm të politikës, Sabri Godo, u nda sot nga jeta në moshën 82 vjecare. Zoti Godo, i cili ka lënë gjurmë edhe si shkrimtar, vecanërisht me dy veprat e tij Skënderbeu dhe Ali Pashë Tepelena, vdiq pak pas mesditës, pas një sëmundje në mushkëri.
Prej disa muajsh, zoti Sabri Godo kishte nisur një betejë me sëmundjen e cila i dha një goditje të fortë javën e shkuar. Ai u shtrua në sanatoriumin e Tiranës. Por dy ditë më parë u rikthye në banesën e tij për të kaluar orët e fundit. Ai mbylli sytë sot pak pas mesditës, duke lënë, në skenën e ashpër politike shqiptare, një vend që e kish zënë përmes zërit të arsyes dhe maturisë.
Ndonëse jo me një angazhim politik direkt, prej shumë vitesh, zoti Godo ka qenë aktiv në të gjitha momentet kritike apo debatet për shumë cështje delikate në vend.
Para viteve ’90 ai ishte njohur përmes disa veprave si shkrimtar, ku pa dyshim, Skënderbeu dhe Ali Pashe Tepelena, janë ndër më të rëndësishmet. Ndërsa me përmbysjen e regjimit komunist, gjatë historisë 20 vjecare të pluralizimit, ai do të ishte një nga figurat me peshë në vend. Themelues i partisë republikane në vitin 1991 dhe dy herë deputet I parlamentit shqiptar, zoti Godo është ndër hartuesit e kushtetutës së vendit. Ai do të tërhiqej nga drejtimi i republikanëve duke ruajtur pozicionin e kryetarit të asamblesë se partise, ndërkohë që angazhimi i tij publik do të mbetej i fortë.
Në shumë cështje problematike, në shumë situata kritike, në shumë debate të zjarrta, mendimi i tij do të kërkohej si një gur peshe për të rivendosur ekuilibrat, për të ulur gjakrat e për të ofruar zgjidhjet e matura. Shpesh në media do të cilësohej si plaku i urtë. E shpesh gjithashtu, do të vihej edhe në qendër të reagimeve të ashpra. Por ndonëse pashmangshmërisht pakënaqësirat nuk do të mungonin, ai mbeti një personazh i vlerësuar nga të gjitha palët.
Kryetari socialist Edi Rama do të ishte ndër të parët që do shprehte keqardhjen për ndarjen e tij nga jeta. “Sabri Godo ishte një kundërshtar politik i partisë socialiste, por ka qenë dhe do të mbetet për ne një figurë e respektuar e këtyre dy dekadave tranzicion, si njëri ndër autorët e kushtetutës dhe një aktor me rëndësi i jetës politike i cili në momentet e vështira të vendit u mundua ngaherë të ndihmojë për të gjetur rrugën e arsyes”, shkruan në mesazhin e tij zoti Rama duke shtuar se “Sabri Godo do të cmohet gjithnjë prej nesh për konseguencën e tij në mbrojtjen e interesave e vlerave tona kombëtare.”
Për presidentin Bamir Topi ai përfaqësonte “politikanin moderator”. Ndërsa kryeministri Sali Berisha do ta vlerësonte si “një nga personalitet e mendimit politik dhe të letrave në vend. Politika – shprehet kryeministri Berisha – humbi një nga më të urtit e saj, bota e mendimit intelektual një prej mendjeve më të ndritura, letrat shqipe korifeun e romanit historik”.
Drejtuesit e thuajse të gjithë spektrit politik kanë shprehur sot keqardhjen për ndarjen nga jeta të zoti Sabri Godo.