Princi Philip, bashkëshorti i Mbretëreshës Elizabetë dhe një figurë kryesore në familjen mbretërore britanike prej gati shtatë dekadash, u nda nga jeta në moshën 99 vjeçare, njoftoi të premten Pallati Buckingham.
Duka i Edinburgut, siç njihej zyrtarisht, i qëndroi pranë bashkëshortes gjatë gjithë mbretërimit të saj 69-vjeçar, më i gjati në historinë britanike.
"Madhëria e saj Mbretëresha njofton me hidhërim të thellë vdekjen e bashkëshortit të saj të dashur, Lartmadhërisë së Tij Mbretërore Princit Philip, Dukës së Edinburgut," tha pallati në një deklaratë.
"Lartësia e Tij Mbretërore ndërroi jetë paqësisht këtë mëngjes në Kështjellën Windsor. Njoftimet e mëtejshme do të bëhen në kohën e duhur. Familja Mbretërore u bashkohet njerëzve në të gjithë botën, duke mbajtur zi për humbjen e tij," thuhej në deklaratë.
Philip ishte një princ grek kur u martua me Elizabetën në vitin 1947. Ai vazhdoi të luante rol kryesor në modernizimin e monarkisë në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore dhe prapa mureve të Pallatit Buckingham ishte figura kryesore të cilit mbretëresha mund t’i besonte
"Ai thjesht ka qenë fuqia ime dhe shtylla ime gjatë gjithë këtyre viteve," tha Mbretëresha Elizabeth në një dedikim të pazakontë për të shoqin, gjatë një fjalimi me rastin e 50 vjetorit të martesës në vitin 1997.
Këtë vit, Philip kaloi katër javë në spital për shkak të një infeksioni, në përgatitje për një ndërhyrje në zemër, por u kthye në Windsor në fillim të marsit.
Prirja për të mos toleruar ata që ai i shihte si servilë i dha atij respekt midis një pjese të britanikëve. Por për të disa të tjerë, sjellja e tij nganjëherë e drejtpërdrejtë, e bënte atë të shihej si i vrazhdë dhe mospërfillës. Gazetarët mezi prisnin të dëgjonin komente pa vend që ai bënte nganjëherë nëpër ceremoni zyrtare.
Philip, ish-oficer marine, e pranonte se e kishte të vështirë të hiqte dorë nga karriera ushtarake, që e donte me shpirt, dhe të luante rolin e bashkëshortit të Mbretëreshës, për të cilin në kushtetutë nuk ekzistonte një përcaktim i qartë.
"Ai ndihmoi për ta drejtuar familjen mbretërore dhe monarkinë në mënyrë që ajo të mbetej një institucion i padiskutueshëm jetik për ekuilibrin dhe lumturinë e jetës sonë kombëtare", tha Kryeministri Britanik Boris Johnson.
Facebook Forum