Lidhje

Rusi, gjykata liron veprimtarin e opozitës


Një gjykatë ruse liroi sot nga paraburgimi udhëheqësin e opozitës Aleksei Navalny, më pak se 24 orë pasi e shpalli fajtor për mashtrim financiar dhe e dënoi me pesë vjet burg. Lirimi erdhi pas një kërkese të papritur nga prokurorët. Dënimi i tij ishte bërë shkak për kritika nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Prokurorët thanë se për shkak se zoti Navalny është kandidat në garën për kryetar bashkie të Moskës këtë vjeshtë, mbajtja në paraburgim do t'i mohonte atij të drejtën e zgjedhjes.

Gjykatësit ranë dakord me kërkesën e prokurorëve që zoti Navalny të lirohet nga burgu me kusht që të mos largohet nga Moska, ndërsa dënimi i tij është duke u apeluar.

Zoti Navalny tha se e mirëpriti kërkesën.

"Kjo është një provë më shumë se gjyqi ishte i motivuar politikisht. Dhe, ndërsa unë sigurisht e mbështes kërkesën e prokurorit, do të doja të shpreh falënderimet e mia për të gjithë ata që dolën kundër vendimit të padrejtë të gjykatës," tha zoti Navalny.

Me t'u pranuar kërkesa e prokurorit, zoti Navalny u lejua të dilte nga kafazi i të pandehurit. Ai u tha gazetarëve se do ta kishte vazhduar fushatën edhe nga qelia e burgut, për t'u bërë sfidë autoriteteve.

Duke dalë nga gjykata, ai falenderoi mbështetësit të cilët dje zhvilluan mitingje proteste pas shpalljes së tij fajtor nga gjykata.

Zoti Navalny, me profesion avokat, bë sidomos i njohur gjatë një serie protestash masive të opozitës në Moskë kundër rizgjedhjes së Presidentit Vladimir Putin për një mandat të tretë në mars të vitit 2012. Ai ka një blog mjaft popullor që e vë theksin te lufta kundër korrupsionit.

Rëndësia e zotit Navalny filloi të rritet sidomos me hetimet që ai ndërmori për korrupsionin në kompanitë shtetërore, ku ai vetë kishte aksione. Blogu i tij lexohej nga qindra mijëra njerëz.

Zoti Navalny me ekipin e tij të avokatëve dhe aktivistëve kanë bashkëpunuar me regjistruesit e pronave jashtë vendit për identifikimin e zyrtarëve të lartë dhe ligjvënësve të cilët zotërojnë prona të padeklaruara dhe mbajnë shtetësi të huaj.

Blogu i zotit Navalny shumë shpejt arriti të ketë popullaritet të jashtëzakonshëm në internet, jo vetëm për shkak të zbulimit të zyrtarëve të korruptuar por edhe për ilustrimet dhe imazhet komike si dhe frazat inteligjente dhe plot humor që ai përmban.
XS
SM
MD
LG