Rusia paralajmëroi të enjten se një përshkallëzim serioz i konfliktit në Donbas mund të "shkatërrojë" Ukrainën ndërsa NATO-ja dhe SHBA shprehën shqetësim rreth asaj që ato e quajtën një shtim i madh i pranisë ushtarake ruse pranë Ukrainës lindore.
Pamjet e paverifikuara të publikuara në mediat sociale tregojnë se Rusia ka lëvizur sasi të mëdha tankesh, transportuesish të blinduar dhe pajisje të tjera në rajone që kufizohen me Ukrainën si dhe në Krime, të cilën Moska e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.
Aktiviteti rus paraqet një sfidë qysh herët për administratën e Presidentit të SHBA Joe Biden, e cila këtë javë pati thirrje telefonike me zyrtarë të lartë ukrainas, një shfaqje publike e mbështetjes për qeverinë e Presidentit Volodymyr Zelenskiy.
"Pjesërisht, kemi të bëjmë me taktikën e zakonshme, ngritjen dhe uljen e konfliktit për të krijuar paqëndrueshmëri, për të treguar se Rusia është një lojtar kryesor," tha një diplomat i BE-së. "Nuk mund të përjashtojmë që presidenca Biden të jetë pjesë e kalkulimeve ruse, pra se është koha që Moska të tregojë muskujt", tha ai.
Moska dhe Kievi kanë akuzuar prej kohësh njëri-tjetrin për dështim në zbatimin e një marrëveshjeje paqësore për Donbasin. Marrëdhëniet tensionohen më tej për shkak të gazsjellësit Nord Stream 2 për në Gjermani, të cilin Kiev dhe Uashingtoni duan ta ndalojnë si dhe pas masave të marra në Ukrainë ndaj një biznesmeni të njëhur, të afërt me Rusinë.
NATO-ja tha se ishte e shqetësuar për shtimin e pranisë ushtarake ruse ndërsa ambasadorët e aleancës u takuan për të diskutuar mbi gjendjen në rajonin lindor Donbas, ku trupat ukrainase luftojnë kundër forcave separatiste të mbështetura nga Rusia, në një konflikt që sipas Kievit ka lënë 14,000 të vrarë që nga viti 2014.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba akuzoi Rusinë për një "përkeqësim sistematik" të situatës së sigurisë në Donbas dhe Krime.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e minimizoi praninë ushtarake, duke thënë "kjo nuk duhet të shqetësojë askënd dhe nuk përbën kërcënim për askënd". Rusia po merr masa për të garantuar sigurinë e kufijve të saj, tha ai.
"Ka një aktivitet të shtuar në perimetrin e kufijve të Rusisë nga NATO-ja, aleanca të tjera, vende të veçanta - e gjithë kjo na detyron të jemi vigjilentë," tha zëdhënësi Peskov.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se pjesa më e madhe e ushtrisë së Ukrainës duket se e kuptonte rrezikun e një "konflikti të nxehtë" në Donbas.
"Unë shpresoj shumë që ata të mos nxiten nga politikanët, të cilët nga ana tjetër nxiten nga Perëndimi, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara," tha ministri Lavrov.
"Presidenti rus Putin ka thënë jo shumë kohë më parë, por kjo deklaratë është ende e rëndësishme sot, se ata që do të përpiqen të fillojnë një luftë të re në Donbas do të shkatërrojnë Ukrainën," shtoi ministri rus.
Shqetësim për NATO-n
Një zyrtar i NATO-s i tha agjencisë Reuters se Moska po minon përpjekjet e paqes në Ukrainën lindore.
"Aleatët ndanë shqetësimet e tyre rreth aktiviteteve të fundit ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe rreth saj. Aleatët janë gjithashtu të shqetësuar në lidhje me shkeljet ruse të armëpushimit të korrikut 2020 që çuan në vdekjen e katër ushtarëve ukrainas javën e kaluar," tha zyrtari.
Ndërkohë, në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga shkallëzimet e veprimeve agresive dhe provokuese të Rusisë në Ukrainën lindore kohët e fundit.
Vendet perëndimore akuzojnë Rusinë se mbështet veglat e saj në Donbas, të cilat pushtuan një pjesë të Ukrainës lindore në vitin 2014.
Rusia thotë se siguron vetëm mbështetje politike dhe humanitare për luftëtarët separatistë në atë që ajo e quan konflikt i brendshëm.
Gjenerali Mark Milley, shef i Shtatmadhorisë amerikane, foli me Komandantin e Përgjithshëm të Ukrainës Ruslan Khomchak për të nënvizuar se "Ukraina është një partnere kryesore e NATO-s", tha zyra e gjeneralit Milley.
Inteligjenca ushtarake ukrainase akuzoi Rusinë se po sajon provokime që të krijojë pretekst për të dërguar njësi shtesë ushtarake ruse në Donbas.
"Veç kësaj, - thanë zyrtarët, - nuk përjashtohet një përpjekje për të shtyrë forcat pushtuese ruse thellë në Ukrainë".
Facebook Forum