Lidhje

NATO, BE, ftojnë zotin Biden "të rindërtojë lidhjet ndëratlantike"


Jens Stoltenberg, NATO Secretary-General
Jens Stoltenberg, NATO Secretary-General

Kreu i NATO-s dhe një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian ftuan të hënën Presidentin e zgjedhur amerikan Joe Biden për të rindërtuar marrëdhëniet ndëratlantike dhe për t’u takuar me aleatët evropianë të Uashingtonit vitin e ardhshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, në thirrjet telefonike që patën me zotin Biden, e përgëzuan atë për fitoren në zgjedhje dhe e ftuan të vizitojë selinë e aleancës ushtarake në Bruksel, i cili është gjithashtu qendra e Bashkimit Evropian me 27 vende anëtare.

Zoti Stoltenberg falënderoi presidentin e zgjedhur Biden "si mbështetës i palëkundur i NATO-s dhe i marrëdhënieve ndëratlantike", sipas një deklarate të aleancës ushtarake, ndërsa Charles Michel "propozoi rindërtimin e ... lidhjeve të forta ndëratlantike", tha zyra e tij.

Ndërsa BE-ja përballet me çështjen historike të Brexit-it, në deklaratën e bllokut theksohej gjithashtu mbështetjen e zotit Biden për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në kufirin e ndjeshëm irlandez, pavarësisht largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Zoti Biden i ka thënë Londrës se duhet të respektojë marrëveshjen e shkëputjes të vitit 2020 me BE-në, ndërkohë që ajo dëshiron ruajtjen e paqes në ishullin e Irlandës. Përndryshe, ka thënë ai, nuk do të ketë marrëveshje tregtare SHBA-Britani.

Për BE-në, kjo deklaratë shënon një ndryshim të mirëpritur toni nga ana e Uashingtonit. BE-ja shpesh ka qenë në mosmarrëveshje me Presidentin Donald Trump, i cili e ka vlerësuar lart Brexit-in, i ka tërhequr Shtetet e Bashkuara nga pakti global për klimën dhe është shprehur haptas armiqësor ndaj NATO-s, duke i kritikuar ashpër anëtarët e saj evropianë se shpenzojnë shumë pak për mbrojtjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG