Lidhje

Muzika shqiptare në një universitet amerikan


Në fakultetin e muzikës së universitetit publik të Montclair-it, në Nju Xhersi, tani mund të studiohet muzika shqiptare. Me studentët amerikanë punojnë dy emra të njohur: Raif Hyseni dhe Merita Halili. Me nismën e zotit Hyseni, ky universitet ka krijuar Ansamblin Ballkanik, ku për momentin punohet pothuajse vetëm me muzikën shqiptare. Julian Zyla i Zërit të Amerikës shkoi në Montclair, ku ndoqi një orë mësimi të Ansamblit.

Muzika shqiptare, lëndë në universitet amerikan
please wait

No media source currently available

0:00 0:09:06 0:00

Këta studentë janë duke u specializuar në degë dhe instrumente të ndryshme muzikore, por gjatë kësaj lënde ata nuk praktikojnë rrymat e zakonshme për ta – si muzika klasike apo jazz – por muzikë shqiptare.

“Jam student i vitit të parë të masterit për Terapi Muzikore. Dua të ndihmoj njerëzit të përdorin muzikën si terapi. Interesi im me këtë lëndë është të përfshihem në diçka krejtësisht të re dhe interesante, dhe ka qenë një sfidë shumë pozitive për mua,” thotë Andrew Nieporent.

Ideja për të hapur këtë dritare në kulturën ballkanike ishte e docentit të tyre Raif Hyseni:

“Unë kam mbaruar programin Master këtu në ‘Montclair State University’. Në atë kohë i propozova mbikëqyrëses sime akademike, Dr. Lisa DeLorenzos, të realizonim një ide timen: hapjen e një dege për muzikën shqiptare, për herë të parë në historinë e Amerikës. Me mirëkuptimin e Dr. DeLorenzos dhe senatit të universitetit, arritëm deri tek bërja realitet e kësaj ideje, duke filluar mësimin e kësaj lënde në shtator,” thotë ai.

Ish-profesorja e zotit Hyseni, Lisa DeLorenzo, është pianiste. Tani, ajo merr pjesë në leksionet e tij për të mësuar një instrument të ri për të: fizarmonikën.

“Është shumë ndryshe. Nëse pëmbys pianon anash, mbase mund të më ndihmojë. Është e mrekullueshme të mësosh një instrument të ri, sepse të bën të vlerësosh procesin e të mësuarit. Shpesh, në nivel universitetesh, ne jemi mësuar të japim mësim gjërat që dimë dhe që jemi të zotët. Kështu që kjo më bën të kaloj të njëjtat vështirësi me të cilat përballet një student i ri që mëson një instrument, çka mund të më ndihmojë në mësimdhënie,” tha zonja DeLorenzo për Zërin e Amerikës.

Gjatë mësimit, zoti Raif Hyseni ndihmohet dhe nga bashkëshortja e tij, këngëtarja shqiptare Merita Halili:

“Zakonisht unë punoj me zërin, vokalin, me korin. Kjo është detyra ime. Pjesën tjetër e ka Raifi. Ne kemi vite që punojmë me shumë grupe këtu në SHBA dhe me shumë institucione amerikane, ku mësojmë këngën dhe folklorin shqiptar,” thotë ajo.

Ky bashkëpunim mes dy artistëve të njohur të muzikës shqiptare, i sjellë në universitetin publik të Montclair-it, në Nju Xhersi, e bën optimist dekanin e fakultetit të muzikës së këtij universiteti Robert Cart, i cili i tha Zërit të Amerikës se parashikon që programi i tyre të zgjerohet.

“Studentët janë shumë me fat që ata të dy po japin mësim këtu. Gjithashtu, kjo muzikë është shumë e bukur. Madje dhe këngët e trishtuara u falin njerëzve buzëqeshje. Na lumturon fakti që po luhet këtu, sepse është një muzikë që rrallë interpretohet, jo vetëm këtu në Montclair, por në të gjitha universitetet publike amerikane. Më pëlqen shumë përqëndrimi i këtij programi mësimor tek muzika shqiptare, por shpresoj që të zgjerohet duke përfshirë dhe kultura të tjera ballkanike,” tha ai.

Për momentin, studentët shprehen mjaft të kënaqur, ndërsa studiojnë muzikën shqiptare.

“Më pëlqen shumë kjo lëndë. Merita dhe Raifi janë muzikantë kaq të mëdhenj por dhe të thjeshtë, prandaj është shumë kënaqësi të punosh dhe të studiosh me ta. Kalojmë shumë bukur,” thotë Tamaru Geller, studente për kanto dhe mësuesi, e cila këndon këngët shqiptare pranë Merita Halilit.

“Më pëlqejnë shumë këngët që Tammy dhe Merita këndojnë. Janë shumë të bukura dhe emocionuese. Më bëjnë të mendoj se duhet të jetë një komb i mrekullueshëm, për të cilin zemra është gjëja më e rëndësishme. Dhe kjo përcillet nga këngët,” shprehet Dr. Lisa DeLorenzo.

Studentët e huaj të muzikës shqiptare hasin edhe vështirësi, thotë Merita Halili:

“Vështirësi kanë në shqiptimin e fjalëve, sepse nuk është gjuha e tyre. Vështirësi kanë në ornamentet që ne përdorim. Vështirësi kanë, sepse për ta është një muzikë e re.”

“Si muzikant klasik, jam mësuar të interpretoj duke e lexuar muzikën, notë për notë. Por këtu në Ansamblin Ballkanik është pak a shumë e kundërta, pasi nuk ka shumë muzikë të shkruar. Kemi disa udhëzime, por kryesisht më duhet të bëj çdo gjë duke dëgjuar. Pra gjëja më e vështirë ka qenë të mbaj mend të gjitha këto këngë. Është një sfidë, por që më pëlqen shumë,” thotë Steven Santa, student për saksofon, që për këngët shqiptare luan dhe në klarinetë.

Shqiptarët, ndër këta muzikantë, nuk janë vetëm dy, por dy e gjysmë. Alex Campbell është gjysmë skocez e gjysmë shqiptar.

“Studioj kitarë klasike dhe mësimdhënie. Unë jam gjysmë shqiptar, prej nënës. Jam rritur i amerikanizuar, por gjithmonë mes kulturës shqiptare. Sidomos, kur gjyshja ime jetonte me ne – kur isha i vogël – dëgjoja shpesh muzikën shqiptare që dëgjonte ajo. Që atëherë kisha humbur kontaktin me atë lloj muzike, derisa erdha këtu në Ansamblin Ballkanik. Tani mund të gjej sërish rrënjët e mia këtu,” thotë ai.

Por në përgjithësi, studentët amerikanë nuk kanë asnjë njohuri mbi muzikën apo kulturën shqiptare, thotë zoti Hyseni:

“Unë nuk u jap vetëm muzikën shqiptare, por u jap informacione edhe mbi kombësinë tonë shqiptare, si gjuha, historia, kultura, traditat, gjeografia, etj. Studentët që vijnë në klasën time, por edhe gjithë studentët e tjerë, nuk e kanë idenë e muzikës shqiptare apo të Ballkanit në përgjithësi. Shkëndijat e para janë shumë shpresëdhënëse dhe unë besoj, shpresoj dhe punoj me ngulm që brenda një viti, ose dy, ky ansambël të ngrihet diku në rreth 100 studentë.”

Çifti Merita Halili dhe Raif Hyseni tregojnë se kjo nuk do të ishte hera e parë që ata do të arrinin të krijonin një ansambël aq të madh të muzikës shqiptare në SHBA, të përbërë nga jo shqiptarë. Ndërkohë, puna drejt objektivave vazhdon...

XS
SM
MD
LG