Lidhje

Mosmarrëveshjet mes Uashingtonit dhe Pekinit për sfidat globale


Mosmarrëveshjet mes Uashingtonit dhe Pekinit për sfidat globale
Mosmarrëveshjet mes Uashingtonit dhe Pekinit për sfidat globale

Ndërsa presidenti i Kinës Hu Gjintao përgatitet të vijë në Shtetet e Bashkuara, fokusi do të jetë në përpjekjet për të siguruar që mosmarrëveshjet mes të dy vendeve të mos dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe. Titujt e gazetave vitin që kaloi kanë qënë të dominuara nga çështje për të cilat të dyja palët kanë pozicione të ndryshme dhe ndonjëherë kundërshtuese.

2010-a ishte një vit i vështirë për marrëdhëniet amerikano-kineze, me më shumë mosmarrëveshje publike sesa marrëveshje.

Megjithë fërkimet, të dyja vendet janë të vendosura për ta bërë funksionale marrëdhënien mes tyre. Ky vizion, u parashtrua një vit më parë nga ambasadori amerikan në Kinë Jon Huntman.
“Ndërsa klima e marrëdhënieve mund të paraqesë vështirësi kohë pas kohe, do të dëgjojmë komente nga të dyja palët për çështje ku nuk biem dakort – dhe cështje të tilla ka. Nuk mendoj se këtë e kundërshton njeri. Matësi i marrëdhënieve do të jetë nëse ne do të jemi në gjendje të lëmë mënjanë mosmarrëveshjet”.

Një burim mosmarrëveshjesh janë të drejtat e njeriut. Media kineze pretendon se çmimi Nobel i paqes dhënë dizidentit të burgosur Liu Xiaobo ishte një ofendim i qëllimtë ndaj Kinës i orkestruar nga vendet perëndimore si Shtetet e Bashkuara.

Qeveria amerikane po vëzhgon gjithashtu çështjen e Xue Feng, një kinezo-amerikan i dënuar me tetë vjet burg nën akuzat për spiunazh. Zëvendës shefi i misionit diplomatik amerikan në Pekin, Robert Goldberg ishte pranë gjykatës ku po apelohej vendimi për zotin Xue në fund të nëntorit.
“Ne bëmë një kërkesë zyrtare për të marrë pjesë në seancën e apelit dhe për t’i dhënë atij mbështetje konsullore në përputhje me Konventën Konsullore Kino-Amerikane të vitit 1980. Gjykata e Lartë e Pekinit e hodhi poshtë këtë kërkesë pa dhënë asnjë shpjegim”.

Uashingtoni dhe Pekini kanë gjithashtu opinione të ndryshme për Korenë e Veriut që goditi një ishull koreanojugor në nëntor duke vrarë katër persona.
Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Kinës të bëjë më shumë për të frenuar Korenë e Veriut, aleaten e saj të vjetër. Por Pekini nuk ka pranuar të fajësojë ndonjëherë Phenianin. Kina ka kritikuar gjithashtu manovrat ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut në rajon duke thënë se ato nxisin tensionet.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashme Hong Lei paraqiti pozicionin kinez pak pas sulmit të nëntorit.
“Në kushtet aktuale, është me rëndësi urgjente t’i kthehemi negociatave. Shpresojmë që të gjitha palët e interesuara do të punojnë së bashku për të zgjidhur si duhet shqetësimet, në kornizën e bisedimeve 6-palëshe dhe duke ruajtur paqen dhe stabilitetin në gadishullin korean”.

Kursi i këmbimit dhe suficiti tregtar i Kinës me Shtetet e Bashkuara janë gjithmonë burim acarimesh. Shumë kritikë në Shtetet e Bashkuara akuzojnë Kinën për manipulim të monedhës së saj për të ruajtur një avantazh të padrejtë tregtar.

Ekspertët thonë se ka shumë arsye që të dyja duket se kanë patur më shumë mosmarrëveshje kohët e fundit.
Wang Dong është asistent-profesor për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Pekinit.
“Shihet qartë tranzicioni i pushtetit. Kina po ngrihet dhe Shtetet e Bashkuara, e thënë ndoshta në terma relative, po bien. Kjo është arsyeja strukturore për shumë mosmarrëveshje. Së dyti, është hendeku i perceptuar, që shkaktohet nga dallimet kulturore mes të dy vendeve. Pastaj është perceptimi i gabuar dhe nacionalizmi në Kinë, si dhe politikat e brendshme në të dyja vendet. Mendoj se duhet të marrim në konsuderatë një gamë të gjerë faktorësh”.

Zoti Wang është mes atyre që besojnë se me sfidat e reja globale, Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë interesa dhe synime të përbashkëta kështu që megjithë mosmarrëveshjet e shpeshta, duhet të gjejnë një rrugë për të punuar së bashku.

Ekspertë të marrëdhënieve kino-amerikane thonë se vizita e zotit Hu këtë muaj në Uashington është pjesë e përpjekjeve për të gjetur pika të përbashkëta në disa çështje dhe pranimi i pozicioneve të palës tjetër aty ku mbeten mosmarrëveshje.

XS
SM
MD
LG