Lidhje

Moskë, gjykata dënon me burgim një tjetër ish-marins amerikan


Ish-marinsi amerikan Trevor Reed, i arrestuar në vitin 2019, qëndron brenda kafazit në gjyq (Moskë, 30 korrik 2020).
Ish-marinsi amerikan Trevor Reed, i arrestuar në vitin 2019, qëndron brenda kafazit në gjyq (Moskë, 30 korrik 2020).

Një gjykatë në Moskë ka dënuar ish-marinsin amerikan Trevor Reed me nëntë vite burg, pasi e shpalli fajtor për sulm ndaj dy oficerëve të policisë, akuzë që ai nuk e ka pranuar.

Gjykatësi Dmitry Arnaut i rrethit gjyqësor Golovinsky, të Moskës, vendosi më 30 korrik që zoti Reed gjithashtu t'i paguajë secilit oficer nga 150 mijë rubla (rreth 2 mijë dollarë amerikanë) si kompensim për dëmtimin moral.

29 vjeçari nga shteti Teksas udhëtoi drejt Moskës në maj 2019 për të studiuar rusishten dhe për të kaluar kohë me të dashurën e tij ruse, Alina Tsybulnik.

Më 15 gusht, disa ditë para udhëtimit të tij drejt Teksasit, zoti Reed dhe e dashura e tij morën pjesë në një festë të organizuar nga kolegët e saj. Ai pretendon se nuk mban mend për atë që ndodhi pas festës, ku thotë se ishte inkurajuar të pinte sasi të mëdha vodke.

Ndërsa ndodhej më pas në makinën që po e çonte në shtëpi, zoti Reed tha se nuk ndjehej mirë, i kërkoi shoferit të ndalonte dhe doli jashtë. Një koleg i të dashurës së tij i telefonoi policisë dhe u largua së bashku me një koleg tjetër, duke e lënë zonjën Tsybulnik vetëm me zotin Reed.

Dy oficerë policie mbërritën në vendin e ngjarjes dhe e morën zotin Reed me vete për t'u kthjelluar, duke i thënë zonjës Tsybulnik që të kthehej brenda disa orësh dhe ta merrte.

Zonja Tsybulnik i tha Radios Evropa e Lirë/Radio Liria (RFE / RL) se kur ajo mbërriti në komisariatin e policisë më vonë, zoti Reed ishte duke u marrë në pyetje, pa një avokat ose përkthyes të pranishëm, nga dy burra që u prezantuan si punonjës të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB).

Zonjës Tsybulnik iu tha se i dashuri i saj akuzohej se kishte rrezikuar jetën e policëve që e morën, duke i tërhequr krahun shoferit dhe duke goditur me bërryl oficerin tjetër që u përpoq të ndërhynte.

Sidoqoftë, çështja ndaj zotit Reed është deformuar nga mospërputhjet. Provat filmike të rishikuara në gjykatë, nuk treguan automjetin e policisë të devijonte si rezultat i veprimeve të zotit Reed, siç pretendohej nga oficerët e policisë.

Duke folur para gjykatësit, vetë oficerët kanë pohuar se nuk iu kujtohen momentet kryesore të udhëtimit, dhe në disa raste kanë tërhequr disa nga pjesët e deklaratave të tyre, ose nuk kanë arritur t'i përgjigjen pyetjeve të thjeshta nga ekipi mbrojtës i zotit Reed.

Trevor Reed është një ndër disa qytetarë amerikanë që dërgohen në gjykata në Rusi vitet e fundit me akuza për të cilat familjet e tyre, mbështetësit, dhe në disa raste qeveria e Shteteve të Bashkuara, kanë thënë se janë të sajuara.

Muajin e kaluar, një tjetër ish-marins amerikan, 50-vjeçari Paul Whelan, u dënua nga një gjykatë në Moskë me 16 vjet burg për spiunazh, akuzë të cilën ai, përkrahësit e tij dhe qeveria amerikane e kanë vënë në dyshim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG