Trupi Kombëtar i Koordinimit të luftës kundër sëmundjeve Infektive në Mal të Zi, vendosi të martën vonë që banorët e banorët e Tuzit të izolohen në shtëpitë e tyre, me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejshme të koronavirusit.
Doktor Boban Mugosha, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik, tha se nga rastet e konfirmuara të martën si të infektuar nga koronavirusi, 15 janë nga Tuzi.
“Kemi detyrë urgjente për të ndihmuar banorët e Tuzit, për të parandaluar përhapjen e shpejtë të koronavirusit, që shërbimet epidemiologjike kanë regjistruar dhe alarmuar në këtë komunë”, tha Mugosha.
Ai vuri në dukje se situata është shumë e rrezikshme dhe mund të përhapet shumë shpejtë duke shkaktuar pasoja të papara për popullatën e Malësisë dhe Malit të Zi, prandaj ai bëri thirrje për vetizolim të banorëve të Tuzit.
" Ju lutem që të dëgjohet apeli, që popullsia të qëndrojë në shtëpi, që të mos dalë jashtë dhe ata që kanë simptoma të vetizolohen në dhoma të veçanta”, tha Mugosha
Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj u bëri thirrje qytetarëve të Tuzit që të gjithë të vetizolohen në shtëpitë e tyre.
"Mund të duhen disa ditë, disa javë në vetizolim që të shpëtohet popullata dh të gjithë të dalim si fitues në këtë luftë me koronavirusin", tha Gjeloshaj.
Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi, bëri të ditur se janë analizuar 34 kampione, ndërkohë 6 mijë persona janë nën mbikëqyrjen mjekësore dhe sanitare, kurse gati 1 mijë persona gjenden në karantinat institucionale.
Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi të martën mbrëma, edhe 17 raste të reja të të infektuarve me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 47 të prekur.
Në mëngjesin e hënës një 65 vjeçar u bë viktima e parë e koronavirusit në Mal të Zi. Autoritetet thanë se viktima, nga qyteti Herceg Novi, ishte shtruar në spitalin infektiv të Qendrës Klinike të Malit të Zi.
Sipas mjekëve 65 vjeçar kishte sëmundje shoqëruese dhe se gjatë muajit mars kishte qëndruar në Serbi ku, sipas tyre, edhe u infektua. Mali i Zi po zbaton aktualisht masa të rrepta për sa i takon qarkullimit të popullatës, grumbullimit apo lëvizjes së saj. Ndërkohë disa qytete po shërbejnë si karantinë.
Facebook Forum