Lidhje

Mjekimet për dhimbjen e kokës pakësojnë rrezikun për Parkinson


Mjekimet për dhimbjen e kokës pakësojnë rrezikun për Parkinson
Mjekimet për dhimbjen e kokës pakësojnë rrezikun për Parkinson

Shkencëtarët thonë se ilaçet që përdoren për dhembjen e zakonshme të kokës pakësojnë rrezikun e prekjes nga sëmundja e parkinsonit, një çrregullim i trurit që kufizon aftësitë fizike e që shfaqet kryesisht tek njerëzit me moshë të madhe.

Në një studim 6-vjeçar tek mbi 136 infermierë dhe punonjës shëndetësorë, studiuesit në fakultetin e shëndetësisë të universitetit të Harvardit në Masaçusets zbuluan se njerëzit që përdorin rregullisht ibuprofen (ajbiprofein) për dhembjen e kokës ose për qëllime të tjera ulin rrezikun e prekjes nga sëmundja e Parkinsonit në masën 40 përqind.

Pirja e një ose dy tabletave ibuprofen dy ose tre herë në javë cilësohet përdorim i rregullt. Përveç barnave kundër dhimbjeve për të cilat nuk duhet receta e mjekut, aspirinës dhe acetaminofinës, barnat e tjera kundër dhimbjeve nuk kanë shfaqur të njëjtin efekt mbrojtës.

Studuesi Alberto Ascheiro (Askero) thotë se ibuprofeni ka ndikim mbi një rrugë nervore e cila ka pasoja në zhvillimin e parkinsonit. Kjo sëmundje shkakton vështirësi të lëvizjes dhe dridhje të muskujve.

Në këtë pikë, zoti Ascheiro thotë, ekspertët nuk rekomandojnë që njerëzit të fillojnë përdorimin e ibuprofenit për të parandaluar parkinsonin, i cili zakonisht prek njerëzit e moshave 65 vjeç e lart.

“Parkinsoni është sëmundje relativisht e rrallë, kështu që ne nuk presim që miliona njerëz të fillojnë përdorimin e ibuprofenit për parandalimin e parkinsonit.”

Në anën tjetër, nëse nuk përdoret me kujdes, ibuprofeni mund të shkaktojë probleme në stomak, mëlçi, veshkë e të tjera.

Ascheiro thotë se shkencëtarët tani do të studiojnë nëse ata që janë diagnostifikuar me sëmundjen e parkinsonit do të kenë përfitime mjekësore nga ky studim. Në botë ka afro 6 milionë njerëz të prekur nga parkinsoni.

“Ne duhet të vërtetojmë nëse me përdorimin afatgjatë të ibuprofenit ata do të kenë përmirësime. Kështu që ne duhet të bëjmë prova klinike dhe teste për të parë nëse ibuprofeni mund të ndihmojë njerëzit e prekur nga sëmundja e parkinsonit.”

Studimi i cili flet për një lidhje të mundshme mes përdorimit të ibuprofenit dhe pakësimit të rrezikut të parkinsonit është publikuar në revistën “Neurology.”

XS
SM
MD
LG