Lidhje

Mirëpritet ndryshimi i rezolutës për Kosovën


Mirëpritet ndryshimi i rezolutës për Kosovën
Mirëpritet ndryshimi i rezolutës për Kosovën

Prishtina mirëpriti pajtimin e Serbisë me Bashkimin Evropian për të ndryshuar rezolutën për Kosovën, e cila sonte pritet të debatohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Beogradi pranoi kërkesat për një tekst të ri të rezolutës prej nga janë hequr pjesët e debatueshme që kishin nxitur kundërshtimin e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Ndryshimet pasuan bisedimet e filluara të martën dhe që vazhduan edhe të mërkurën ndërmjet presidentit serb, Boris Tadiç, dhe shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. Në projektin e ri të Rezolutës së harmonizuar me Bashkimin Evropian janë hequr pjesët mbi siç thuhet “mospajtimin me shkëputjen e njëanshme” si dhe thirrjet që nëpërmjet dialogut të zgjidhen “të gjitha çështjet e hapura”.

Në Kosovë, kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi tha se kjo ishte rezultat i trysnisë ndërkombëtare dhe se në këtë mënyrë Serbia, “gradualisht, po bëhet faktor i shtensionimit të situatës në rajon”. Ndërsa, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, tha se qeveria e Kosovës e mirëpret ndryshimin e rezolutës, por përsëriti qëndrimin se nuk mund të ketë kurrfarë bisedimesh për statusin e Kosovës.

Më vjen mirë që Serbia e ka tërhequr atë rezolutë. Qeveria e Kosovës e mirëpret tërheqjen e asaj rezolute. Kemi qenë të bindur se ajo rezolutë nuk do të shkojë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ne kemi qenë gjithmonë dhe jemi të bindur se vullneti i qytetarëve të Kosovës për pavarësi, mendimi i GJND-së do të respektohet dhe në këtë drejtim nuk ka dilema. Kosova është për bashkëpunim ndërshtetëror me cilindo shtet për fqinjësi të mirë, për bisedime që kanë për rëndësi bashkëpunimin rajonal dhe integrimet evropiane, por nuk do të ketë bisedime për statusin, për çështje të brendshme të Republikës së Kosovës”, tha zëvendëskryeministri Kuqi.

Më të rezervuar janë shprehur ndërkaq nënkryetarët e partive opozitare, Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Ibrahim Gashi nga Aleanca Kosova e re. “Konsiderojmë se tërheqja e Serbisë në momentin e fundit nga rezoluta që e ka parashtruar ka qenë si shenjë e presionit të bashkësisë ndërkombëtare mbi Serbinë dhe normalisht që është pritur ose një nokaut i Serbisë në OKB, ose një tërheqje, prandaj tërheqja është veprim i mençur i Serbisë që të integrohet në Bashkimin Evropian”, tha zoti Isufi.

"Nuk mund të themi se rezoluta është e pranueshme plotësisht, apo e favorshme dhe nuk i ka lënë të kënaqura as palën serbe, as palën kosovare. Ka qenë një trysni e bashkësisë ndërkombëtare për ta bërë atë të pranueshme dhe për të dalë nga ky rreth vicioz në raportet Kosovë-Serbi”, tha zoti Gashi.

Ndërkaq, ambasadori britanik në Prishtinë Andy Sparks, i cili muajin e ardhshëm merr postin e zëvendësshefit të Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, tha se ndryshimi i rezolutës nuk përmbylle tërë proceset. “Është gjë e mirë se kemi pajtim për tekstin e rezolutës, por ende nuk kemi arritur harmoni të plotë për të ecur përpara, prandaj ka ende punë për të bërë”, tha ambasadori Sparks.

Rezoluta e re parasheh bisedime të mbështetura nga Bashkimi Evropian të cilat siç thuhet, vetvetiu do të ishin faktor i paqes, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon. Nuk ka një kohë të përcaktuar kur mund të fillonin ato, por vëzhguesit besojnë se ato do të përqendroheshin në veriun e Kosovës, prej nga vijnë edhe reagimet më të ashpra ndaj ndryshimit të rezolutës së Beogradit. Veriu i banuar me shumicë serbe është skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës dhe skenë e tensioneve të larta politike.

Në orët e hershme të mëngjesit në pjesën veriore të Mitrovicës ka ndodhur një shpërthim i cili ka kaluar pa pasoja në njerëz, por me dëme materiale në të paktën një makinë civile dhe janë thyer xhamat e disa dyqaneve përreth. Policia tha se është herët të thuhet çfarëdo qoftë për motivet apo autorët e mundshëm të këtij shpërthimi dhe se është vënë në përpjekje për të ndriçuar rrethanat në të cilat ka ndodhur ai. Policia tha se po bënë përpjekje për të gjetur edhe autorët e vrasjes së një shqiptari dy ditë më parë në veriun e qytetit të Mitrovicës që vazhdon të mbetet i ndarë në dy pjesë, veriun me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.

XS
SM
MD
LG