Lidhje

Ministri i Brendshëm i Kosovës: Bisedat e mija me kryeministrin Thaçi përgjohen


Ministri i Brendshëm i Kosovës: Bisedat e mija me kryeministrin Thaçi përgjohen
Ministri i Brendshëm i Kosovës: Bisedat e mija me kryeministrin Thaçi përgjohen

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, tha se bisedat e tij me kryeministrin e vendit Hashim Thaçi përgjohen dhe kjo ishte arsye që operacioni i 25 korrikut për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare me Serbinë, është organizuar shumë shpejt.

Ai i ka bërë këto komente gjatë takimit me Komisionin Parlamentar për Punë të Brendshme dhe siguri, i cili u përshkua me shumë polemika rreth rrjedhojave të atij operacioni.

Një pjesë e anëtarëve të komisionit, ka kërkuar shpjegime, përse nuk ka pasur përgatitje më të mira e më të gjatë të operacionit të 25 korrikut. Ai tha se autoritetet janë qenë të detyruara që të veprojnë në shpejtësi.

Pse është bërë shumë shpejtë? Është bërë për një arsye. Se edhe bisedat e mia me kryeministrin incizohen nga ndërkombëtarët dhe dekonspirohen ende pa përfunduar. Kjo është botërisht e ditur.

Prej momentit që kemi filluar të përgatisim ka pas përgjime dhe ka edhe sot bashkëpunëtor të ndryshëm që kanë punuar edhe për UNMIK-un, dhe tash që i dekonspirojnë dhe ndoshta vet ju ndihmojnë për t’í vendosur barrikadat te Leposaviqi. Mos të flasim për një operacion që kish me zgjat një muaj. Atëherë do tí kishit pas krejt barrikadat e mundshme dhe aty do të ishin dy mundësi; të tërhiqemi apo të fillojmë të vrasim njerëz, që s’ka qenë qëllimi ynë. Sikur të íshte vra një civil krejt operacioni do të devalvonte”, theksoi Rexhepi.

Askush nga ndërkombëtarët nuk e ka komentuar ende këtë qëndrim, ndërsa zyrtarë të UNMIK-ut i thanë Zërit të Amerikës se është ende herët të thonë çfarëdo qoftë për këtë deklaratë të ministrit Rexhepi.

Operacioni i 25 korrikut ishte pasuar me trazira të dhunshme për shkak të mospajtimit të banorëve serbë dhe Beogradit me vendosjen e doganiereve dhe policëve shqiptarë në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Një kundërshtim i tillë është përsëritur edhe pas paralajmërimeve të autoriteteve të Kosovës se të premten më 16 shtator, do të fillojë zbatimi i marrëveshjes më Serbinë lidhur me vulat doganore. Autoritetet thanë se kjo nënkupton vendosjen e doganierëve dhe të policisë së Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Shefi i delegacionit Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanovic tha se kjo është e papranueshme duke paralajmëruar veprime për kundërshtimin e një synimi të tillë.

Zyrtarë të EULEX-it nuk deshën të komentojnë deklaratat e zyrtarëve serbe, por thanë se po punohet për hartimin e një plani të posaçëm për këtë çështje, gjithnjë duke pasur parasysh se Kosova është një njësi e vetme doganore.

Më 2 shtator Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje lidhur me përdorimin e e vulave doganore dhe sipas qeverisë së Kosovës tash po bëhen përgatitjet për ri funksionalizimin e vendkalimeve kufitare që u shpallën zona ushtarake pas dhunës që përfshiu zonën në fund të muajit korrik.

Ministri i brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi tha se veprimet në veri do të jenë të bashkërenduara me praninë ndërkombëtare, ndërsa nënvizoi se institucionet janë të vetëdijshme për siç u tha, pengesat që po paralajmërohen në atë zonë.

XS
SM
MD
LG