Lumi i Los Anxhelosit me gjatësi 80 kilometra, i mbuluar në pjesën më të madhe me beton, është i thatë në pjesën më të madhe të vitit. Kanalet e shkarkimit mbushen nga shirat e dimrit dhe shërbejnë si mbrojtje nga përmbytjet. Por një pjesë e lumit është rehabilituar dhe çdo vit mijëra vullnetarë mblidhen për të pastruar plehrat e grumbulluara gjatë dimrit. Në serinë e përjavëshme “Prirjet e Gjelbra”, ju sjellim hollësi për këtë aktivitit vjetor në Los Anxhelos.
Pesë mijë vullnetarë u mblodhën për të pastruar plehrat që vareshin nëpër pemë pas përmbytjeve të vitit. Nxënësit e shkollave nxirrnin mbeturinat nga uji, që sjellin me vete ujrat e shirave, me tonelata të tëra, në çdo vit.
Për shumë banorë të Los Anxhelosit, lumi është një labirinth betoni, por Shelli Bakller e grupit jo fitimprurës Friends of the Los Angeles River, Miqtë e Lumit të Los Anxhelosit, thonë se në disa zona, ai ka filluar të duket si një rrjedhë natyrale ujore.
"Çuditërisht ne kemi disa ekosisteme të gjelbër që i japin ujit një ngjyrë po ashtu të gjelbër”.
Për shumë vullnetarë patrimi i lumit është një mundësi për të eksploruar natyrën. Melvin Gomez, i cili ka ardhur këtu me vullnetarë të tjerë nga kisha e tij, thotë se ka mjaft plehra për t’u hequr.
"Veçanërisht qese plastmasi. Por ne kemi hequr roba, rrota, sende nga më të ndryshmet që mund të të shkojë mendja. Është me të vërtetë shumë i ndotur”.
Maks Aronson është dakords se hedhurina gjen kudo në bazenin e lumit.
"Ne kemi gjetur dy karoca ushqimesh të groposura këtu dhe po punojmë t’i nxjerrim, si dhe një gropë plot hedhurina. Kemi hequr deri tani një sasi të madhe plehrash”.
Se si kanë përfunduar në lumë të gjithë këto nuk dihet dhe këta studentë universitarë po i grupojnë ato në një park në afërsi për të mësuar se nga kanë ardhur. Studentja Rozë Igëllhof do që lumi të kthehet në gjendjen e tij natyrale.
"Mendoj se është me shumë rëndësi që të kesh këtë burim ujor në gjendje natyrore në mes të qytetit. Është e mrekullueshme të kesh parqe si ky, por do të ishte edhe më mirë të kishim një lumë që të mos ishte i mbuluar me beton në pjesën e tij më të madhe”.
Çfardo që vjen në rrjedhën e Lumit të Los Anxhelosit do të derdhet më në fund në Oqeanin Paqësor, ku në disa raste bëhet shkak për mbylljen e plazheve dhe dëme në faunën e zonës. Fushata e pastrimit të këtij viti nuk është vetëm për heqjen e plehrave, thotë Shelli Bakller e grupit Miqtë e Lumit të Los Anxhelosit.
"Qëllimi është të vinë njerëzit në këto kuota të ulta për të hequr hedhurinat që kanë ngecur diku, para se ato t’i marrë rrjedha, e për të parë zogun e mrekullueshëm blu që fluturon mbi ne”.
Këta miq të Lumit të Los Anxhelosit thonë se ai është pjesë e sistemit ekologjik të qytetit dhe prandaj janë të vendosur që të mos lejojnë që plehrat t’ia prishin bukurinë e tij natyrore.