Lidhje

Miçigan, kërkohet zbardhja e plotë e ngjarjeve të 2 prillit 1991


Miçigan, kërkohet zbardhja e plotë e ngjarjeve të 2 prillit 1991
Miçigan, kërkohet zbardhja e plotë e ngjarjeve të 2 prillit 1991

Në shtetin e Miçiganit, ish veprimtarë të lëvizjes për demokraci në Shqipëri, që sot jetojnë në Shtetet e Bashkuara, përkujtuan 2 prillin e vitit 1991 dhe bënë thirrje që vrasja e katër të rinjve shkodranë, të ndriçohet plotësisht. Megjithëse kanë kaluar 20 vjet nga demonstrata antikomuniste, pjesmarrësit thanë se autoritetet në Shqipëri duhet t’i rikthehen asaj ngjarjeje për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e drejtpërdrejtë të vrasjeve.

Në një sallë të qytetit Clinton Township të Miçiganit janë ekspozuar dhjetra fotografi të 2 prillit 1991, kur Shkodra dhe mbarë Shqipëria u tronditën nga një ngjarje që do të shpejtonte rënien e komunizmit në vend. Atë ditë u vranë katër të rinj përkrahës të demokracisë: Arben Broci, Bujar Beshanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka.

Një pjesë e njerëzve që kanë ardhur këtu janë pjesmarrës të demonstratës së 2 prillit dhe dëshmitarë të drejtpërdrejtë si Paulin Palushi që bëri këto fotografi nga ajo ditë.

Secili prej atyre që janë sonte këtu mund të ishte vrarë në atë ditë të vështirë, kur rezultati i përballjes së demonstruesve me policinë ishte i paparashikueshëm.

Pjesmarrësit thanë se ndonëse 2 prilli 1991 i dha një shtytje vendimtare lëvizjes për demokraci, ngjarja ende mbetet e pandriçuar plotësisht.

Alfons Grishaj, ka qenë një ndër drejtuesit e degës së Partisë Demokratike të Shkodrës në kohën e ngjarjeve të 2 prillit.

“Ajo ka mbetur pezull. Nuk janë nxjerrë në bankën e të akuzuarve as urdhërdhënësit dhe as zbatuesit. Kjo çështje ka mbetur e pazgjidhur sepse në atë kohë ne nuk kemi pasur as hetuesi, as gjykata dhe as prokurori për të zgjidhur këtë problem. Pra hetuesinë dhe prokurorinë e kanë bërë spiunët e sigurimit të shtetit, të cilët kanë krijuar një amulli dhe alibi të vërtetë”.

Shumica e atyre që folën në këtë rast përkujtimor shprehën pikpamjen se në Shqipëri, komunizmi ende nuk është dënuar siç do të deshën ata të ishte dënuar.

“Eshtë tepër e pranishme ideologjia e bartur prej atyre viteve famëkëqia, prej elementëve dhe autorëve të cilët prunë terror, persekutim dhe mjerim mbi popullin shqiptar”, tha Gjon Buçaj, kryetar i Organizatës Vatra.

Ata thanë se demokracia në Shqipëri po ecën me vështirësi dhe po has pengesa të shumta në rrugën e saj.

Kolec Ndoja, një ndër organizatorët e lëvizjes për demokraci në Shkodër në kohën e ngjarjes së 2 prillit, thotë se Shqipëria sot ka nevojë urgjente për bashkim dhe se shqiptaro-amerikanët duhet të kontribuojnë më shumë.

“Ne u mblodhëm këtu që ndoshta të dalim me një konkluzion se si ta bashkojmë Shqipërinë dhe si ta shpëtojmë Shqipërinë. Sot nuk është fjala se çfarë mund të bëjë Shqipëria për ne por secili prej nesh i ka pesë minuta kohë për të thënë se çfarë mund të bëjmë ne për Shqipërinë”.

Me emocion, të pranishmit panë një dokumentar për 2 prillin.

Zoti Grishaj i bëri thirrje qeverisë shqiptare që zbardhja përfundimtare e asaj që ndodhi më 2 prill të mos lihet në heshtje:

“Mund të ketë edhe dëshmi të reja që do t’i vijnë në ndihmë zbardhjes përfundimtare të çështjes së 2 prillit”, tha zoti Grishaj.

XS
SM
MD
LG