Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, mes të tjerash e shfrytëzoi vizitën e tij në Shqipëri për të falenderuar qeverinë për sistemimin e anëtarëve të një grupi opozitar iranian të njohur me emrin Mujahedin e Khalq, ose MEK, njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Pam Dockings, e cila ishte në avionin e zotit Kerry gjatë udhëtimit të tij në Tiranë.
Në dy vitet e fundit, Shqipëria ka pranuar rreth 1,000 anëtarë të këtij grupi, dhe sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit, ajo ka premtuar të pranojë edhe 2,000 të tjerë.
Zyrtari i bëri komentet përpara arritjes së zotit Kerry në Tiranë.
Shumica e anëtarëve të MEK kanë jetuar në kampet e ngritura në SHBA në Irak. SHBA e kanë ndihmuar Shqipërinë për risistemimin e grupit, i cili ka mbështetur operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe luftën kundër terrorizmit.
Ndihma amerikane përfshin një donacion prej 20 milion dollarësh dhënë agjencisë së OKB-së për refugjatët, për risistemimin e MEK, tha zyrtari i Departamentit të Shtetit.
Për këtë qëllim, edhe Shqipërisë i është dhënë ndihmë sigurie dhe zhvillimi për të shtuar aftësitë e sistemimit të refugjatëve.
Shqipëria, rol në luftën kundër ekstremizmit
Zyrtari i Departamentit të Shtetit që foli me gazetarët, tha se qëllimi kishte qenë që vizita të bëhej në dhjetor kur zoti Kerry ishte në rajon, por meqenëse nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme ishte shtyrë për këtë radhë.
Zyrtari tha se Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në rajon në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe vlerësoi përpjekjet në këtë drejtim.
Ai tha se sfida më e madhe për Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe përsa i takon përparimit të mëtejshëm, kanë qenë problemet e vazhdueshme me krimin, korrupsionin, shtetin ligjor.
“Ata janë tani në një moment kyç për përballimin e këtyre sfidave. Kanë shënuar një sukses të konsiderueshëm pas një procesi të vështirë kundër krimit të përfshirë në politikë. Kishin anëtarë nga të dyja partitë kryesore, anëtarë parlamenti që ishin të akuzuar për krime dhe që nuk kishin pasur asnjë pasojë në politikë nga ai aktivitet. Tani e kanë kapërcyer këtë”.
Zyrtari përmendi punën për paketën e reformave në drejtësi që do të forcojë sistemin ligjor. Ai theksoi se një nga arsyet e vizitës ishte meqë tani po bëhen negociatat me opozitën për reformën dhe sekretari donte të përforconte mesazhin se kjo paketë është pjesë e pastrimit të Shqipërisë, jo vetëm që të ketë argumenta të forta për anëtarësim në BE por edhe për të përmirësuar klimën e investimeve.