Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha sot se Serbia nuk i ka përmbushur kushtet për afrimin e saj me strukturat e Bashkimit Evropian , ndërsa ka krijuar një mjedis për dhunë në veriun e Kosovës. Duke folur në Parlamentin e Gjermanisë mbi të ardhmen e Bashkimit Evropian, ajo tha se në afat më të gjatë dëshirohet që jo vetëm Serbia por edhe Kosova të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Kjo nënkupton që rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian mund të realizohet vetëm nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Bashkimi Evropian dhe qeveria e Gjermanisë i kanë formuluar që herët pritjet e tyre në formë hapash konkretë. Më vjen shumë keq që Serbia nuk i ka përmbushur këto pritje në mënyrën e duhur dhe së këndejmi nuk i ka përmbushur kushtet për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha kancelarja Merkel.
Ajo i ka dënuar sulmet e serbëve ndaj forcave të NATO-s në veriun e Kosovës në fillim të kësaj jave, kur gjatë përleshjeve me serbët lokalël u plagosën dhjetëra veta, përfshirë edhe rreth 30 pjesëtarë të KFOR-it.
“Serbia gjithashtu akuzohet për kontributin që ka dhënë ditët e fundit në krijimin e një mjedisi në të cilin paqeruajtësit gjermanë në veri u sulmuan me armë dhe u plagosën. Kjo është e papranueshme”, tha kancelaria Merkel.
Dhuna në veriun e Kosovës është dënuar edhe nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian, ndërsa Serbia është vënë nën trysni për t’u dhënë fund trazirave në funksion të sigurimit të statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Serbët në veriun e Kosovës kanë vendosur barrikada që nga muaji korrik, kur qeveria e Kosovës u përpoq të merrte nën kontroll vendkalimet kufitare me Serbinë. Të martën presidenti i Serbisë Boris Tadiç bëri thirrje për largimin e barrikadave, por diplomatët thanë se thirrjet duhet të pasohen nga veprime konkrete.
Rifillojnë bisedimet Kosovë – Serbi
Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë rifilluan sot pasdite bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian pas dështimit në dy ditët e kaluara për të arritur ndonjë marrëveshje për çështjen e vendkalimeve kufitare dhe pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale, pjesëmarrje kjo që pengohet nga Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës.
Beogradi kërkon një zgjidhje që nuk nënkupton njohjen e Kosovës, ndërsa Prishtina thotë se menaxhimi i përbashkët i kufirit është një zgjidhje evropiane.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha sot se të gjitha propozimet e Prishtinës janë në këtë frymë.
“Gjithshka do të respektohet në përputhshmëri me dokumentin e presidentit (Martti) Ahtisari, me Kushtetutën dhe ligjet tona. Çështjet janë teknike, çdo pretendim për të kaluar mbi këto dokumente për Prishtinën është diçka e patejkalueshme, prandaj edhe qëndrimet tona janë shumë të qarta, kanë qenë shumë kreative, gjithmonë të shkohet në drejtim të zgjidhjeve sipas modelit evropian. Në kuadër të kësaj ka qenë edhe çështja e menaxhimit të integruar të kufirit, që është një model i lartë evropian që të dominojë edhe në rajonin tonë edhe mes Kosovës dhe vendeve fqinje, por edhe me Serbinë që do t’i kontribuonte paqes, stabilitetit, komunikimit mes vendit tonë dhe vendeve në rajon dhe popujve tjerë”, tha kryeministri Hashim Thaçi.
Zyrtarët evropianë kanë thënë se Serbia duhet të gjejë një zgjidhje nëse kërkon të avancojë me kandidaturën për në Bashkimin Evropian. Vendimi për këtë çështje pritet të merret javën që vjen. Njëkohësisht Prishtina pret që të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave si shpërblim për qasjen ndaj procesit të bisedimeve.