Lidhje

Memedi: Marrëdhëniet e fqinjësisë ndihmojnë integrimin e Maqedonisë


Memedi: Marrëdhëniet e fqinjësisë ndihmojnë integrimin e Maqedonisë
Memedi: Marrëdhëniet e fqinjësisë ndihmojnë integrimin e Maqedonisë

Zyrtari i lartë i Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë Abdulkadar Memedi tha se tre përparësitë kryesore të politikës së jashtme të vendit të tij janë anëtarësimi në NATO, fillimi i bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe marrdhënet fqinjësore me vendet e rajonit. Zoti Memedi, tha se për çështjen e emrit duhet të gjendet një zgjidhje e cila nuk kërcënon identitetin kombëtar, kulturor dhe fetar as të Maqedonisë dhe as të Greqisë. Këto komente Sekretari i shtetit në ministrinë e Jashtme, i bëri në Qendrën për Marrëdhëniet Transatlantike të universitetit John Hopkins në Uashington.

Sekretari në ministrinë e jashtme të Maqedonisë, Abdulkadar Memedi tha se marrëdhëniet e fqinjësisë janë një element i rëndësishëm i cili ndihmon proceset e integrimit të Maqedonisë. Ai tha se Maqedonia ka marrëdhënie të mira me vendet e rajoni dhe po punon në zgjerimin e tyre për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzeve dhe mallrave.

Në lidhje me marrdhëniet ndëretnike, zoti Memedi tha se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit është i rëndësishëm dhe duhet të vazhdojë. Ai tha se kjo marrëveshje i ka dhënë fund konfliktit ndëretnik dhe zbatimi i saj është i rëndësishëm jo vetëm për qëndrueshmërinë në vend por edhe për integrimet euroatlantike.

“Ne po vazhdojmë me procesin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Nganjëherë dinamika e procesit të zbatimit të kësaj marrëveshje është e ndryshme dhe e ngadalshme. Por ekziston një konsensus mes aktorëve politik se zbatimi i kësaj marrëveshje është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e brendshëm të vendit dhe për integrimet euroatlantike,” tha zoti Memedi.

Pas fjalimit, e pyetëm zotin Memedi nëse zvarritja e zgjidhjes së problemit të emrit mund të nxisë mosdurim të brendëshëm.

Abdulkader Memedi: Gjithsesi se prioritetet e Maqedonisë mbeten integrimi në NATO dhe BE. Dhe çështja e emrit është pengesa që shtyn procesin dhe zgjatë status kuon e procesit te integrimeve. Aspekt i rëndësishëm në zgjidhjen e emrit është integrimi në NATO. Për këtë çështje ka konsensus në mesin e qytetarëve dhe spektrit politik në Maqedoni. Çdo shtytje e këtij procesi për çdo ditë konsumon durimin por ne nuk do të jemi pesimist të themi se harxhon durimin deri në fund sepse vazhdimisht në mënyrë konstruktive dëshirojmë të jemi pjesë e zgjidhjes së kësaj çëshjte.

Zëri i Amerikës: Shqiptarët deri vonë kanë qenë indiferentë ndaj çështjes së emrit. Për ata pothuaj gjithçka është e pranueshme përveç referencës “Maqedonia Sllave.” Si e shikojnë problemin e emrit shqiptarët e Maqedonisë?

Abdulkader Memedi: Shqiptarët nuk kanë qenë indiferentë ndaj emrit. Por shqiptarët kanë treguar mirëkuptim ndaj çështjes së emrit gjegjësisht ndaj çështjeve të identitetit nacional dhe kulturor të bashkëatdhetarëve apo bashkëqytetarëeve të tyre maqedonas. Zgjidhja e çështjes së emrit në mënyrë direkte apo indirekte implikon edhe ndryshime ashtu siç është implikuar deri tani edhe në aspektin e identitetit gjuhësor dhe kulturor. Ne jemi ata të cilët kemi mirëkuptim dhe themi se bashkëqytetarët tanë maqedonas kanë të drejtë të ndjehen ashu siç ndjehen. Prandaj çdo zgjidhje që do të pranojnë ata përveç zgjidhjes e cila do ta cenonte identitetin dhe shtetëformësinë e shqiptarëve në Maqedoni do të ishte e papranueshme. Por, gjithsesi dëshiroj të theksoj se pjesëmarrja e faktorit shqiptar në zgjidhjen e çështjes së emrit është shumë aktive. Ndoshta jo shumë publike, por është shumë aktive gjë të cilën e dëshmojnë të gjitha qendrat ndërkommbëtare duke e definuar faktorin shqiptar në qeveri si faktor stabiliteti dhe si faktor kujdestar i kursit euroatlantik të Maqedonisë.

Zëri i Amerikës: Si po i përgjigjet qeveria e Maqedonisë kërkesave për hapje të reja të pikave kufitare. Ç’po ndodh me planin për një vendkalim të ri në fshatrat Stançiç-Bellanoc?

Abdulkader Memedi: Ne si qeveri e Republikës së Maqedonisë kemi kompletuar të gjitha procedurat për hapjen e këtyre kalimeve kufitare në aspektin formal dhe juridik. Kemi pritur përgjigje nga pala kosovare. Dhe kuptohet, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme dhe formimit të qeverisë së re deri tani nuk kemi marrë përgjigje. Por kam një pralajmërim që së shpejti pala kosovare do të japë pëlqimin që kalimi kufitar Bellanoc-Stançiç të transformohet në kalim kufitar ndërkombëtar. Për këtë do të nevojitet nënshkrimi i një marrëveshje të re dy palëshe. Dhe posa të nënshkruhet ajo marrëveshje dypalëshe menjëherë do të fillojnë proceset e tjera. Paraprakisht ne kemi arritur marrëveshje me Komisionin Evropian që të shfrytëzohen mjetet e komponentës IPA-2 për bashkëpunim ndërkufitar për ndërtimin e terminalit apo ndërtesës së kalimit kufitar të përbashkët që do të ndërtohet mes Republikës së Maqedonisë dhe Kosovës.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG