Lidhje

Republikanët: Fjalimi i Melanias shkakton debate


Kuvendi i Republikanëve në Shtetet e Bashkuara, hyri të martën në ditën e dytë dhe tema kryesore është ekonomia. Por vëmendja u përqendrua tek fjalimi i bashkëshortes së kandidatit të pritshëm presidencial, Donald Trump, Melania Trump dhe jo për arsyet që do të dëshironte fushata e zotit Trump.

Nga kuvendi i republikanëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:08 0:00

Fjalimi i zonjës Trump ishte më i shumëprituri në ditën e parë të Kuvendit dje. Para se ajo të merrte fjalën, komentet kishin të bënin me temat që ajo pritej të prekte dhe për faktin që në një lëvizje jo të zakontë vetë zoti Trump do ta prezantonte Melanian. Por vetëm pak orë pas fjalimit të saj, vëmendja ishte tek ngjashmëritë e jashtëzakonshme të një pjese të fjalimit me atë të dikujt tjetër që para tetë vjetësh shpresonte të bëhej Zonjë e Parë.

"Që kur isha e re, prindërit ngulitën tek unë vlera të tilla si të punosh fort për të arritur atë që do në jetë. Që fjala jote është premtimi yt, dhe atë që thua duhet ta bësh. Që duhet t’i trajtosh njerëzit me respekt”, tha zonja Trump të hënën.

"Baraku dhe unë, jemi rritur me shumë vlera të përbashkëta: si të punosh fort për të arritur atë që do në jetë, që fjala jote është premtimi yt, që duhet, që duhet ta bësh atë që thua se duhet ta bësh, që t’i trajtosh njerëzit me dinjitet dhe respekt”, tha zonja Obama në fjalimin e saj para tetë vjetësh.

Ngjashmëria e jashtëzakonshme me fjalimin që dha Michelle Obama në Kuvendin Kombëtar të e Demokratëve në vitin 2008 tërhoqën vëmendjen nga mesazhi i zonjës Trump, si imigrante sllovene dhe si avokate e bashkëshoritt të saj i cili tha ajo, do të luftojë “për ju dhe për vendin”.

Menaxheri i fushates Trump, Paul Manafort mohoi në një konferencë për shtyë se pjesë të fjalimit të ishin kopjuar nga fjalimi i zonjës Obama. Ai tha se akuza ka një ngjyrim politik dhe se ishte kampi Clinton që e vuri në dukje ngjashmërinë.

"Është vetëm një shembull tjetër që kur Hillary Clinton kërcënohet nga një grua tjetër, gjëja e parë që ajo përpiqet të bëjë, është të shkatërrojë personin tjetër", tha ai.

Disa fjalime të tjera të hënën, ishin shumë më të zjarrta.

Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani tha se shumica e amerikanëve nuk ndjehen të sigurt. Zoti Giuliani, iu rikthye edhe fjalimit të Presidentit Barack Obama në Kuvendin Demokrat të vitit 2004, ku kandidati i atëhershëm për sentor ta se “nuk ka një Amerikë liberale, konservatore, të zezë, të bardhë, latine apo aziatike, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Kuvendi pati edhe një të papritur të hënën kur shpërtheu në kaos vetëm disa orë pasi filloi, kur kundërshtarët e zotit Trump ngritën zërin në sallë kur iu mohua një votim për rregullat e kuvendit, një manovër për të shmangur ose vonuar emërimin e tij, por që u kundërshtua nga përkrahësit e zotit Trump.

Kuvendi Kombëtar i Republikanëve zhvendoset të martën tek ekonomia. Përveç fjalimeve spesifike me këtë temë, do të flasin disa nga figurat kryesore partisë republikane, përfshirë Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan dhe ish-kandidatët presidencialë Chris Christie dhe Ben Carson por edhe anëtarë të familjes Trump: Vajza e tij Tiffany dhe një nga djemtë e tij, Donald Jr.

XS
SM
MD
LG