Lufta e Vietnamit mbaroi pothuajse 40 vjet më parë dhe marrëdhëniet mes Vietnamit dhe Shteteve të Bashkuara duket se po rriten. Por shumë njerëz në Amerikë dhe në Vietnam e kanë të vështirë ta harrojnë luftën dhe ata që morën pjesë në të. Njëri prej tyre është senatori John McCain i cili po mban zi për humbjen e kolegut të tij të luftës, George Day.
58 mijë amerikanë humbën jetën në Luftën e Vietnamit. Një prej pjesmarrësve në luftë ndërroi jetë kohët e fundit.
Koloneli George “Bud” Day mori Medaljen e Nderit në vitin 1976. Me 26 gusht 1967, ai u hodh nga aeroplani mbi Vietnamin verior pas goditjes me armë zjarri. Ai u kap dhe përfundoi i burgosur lufte.
Koloneli i shpëtoi kapjes duke mbijetuar në xhungël por ra përsëri në duart e armikut. Ai përfundoi në të njëjtën qeli burgu me një ushtar të ri që më vonë do të njihej si senatori John McCain.
Zoti McCain thotë se zoti Day ishte njeriu më i guximshëm që kishte njohur duke i shpëtuar jetën dhe ngritur moralin.
“Kur rezistenca dhe shpirti më rrënoheshin, Bud më jepte kurajo për të vazhduar dhe si t’i shërbeja vendit tim në rrethana të vështira.”
Koloneli Day mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore dhe Luftën e Koresë para se të shkonte në Vietnam. Ai u largua nga shërbimi ushtarak më 1977 por ruajti lidhje të ngushta me ish mikun e burgut “Hanoi Hilton” dhe mbështeti të drejtat e veteranëve.
Thuajse katër dekada pas fundit të luftës, të dy vendet po punojnë për të tejkaluar të shkuarën. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, një tjetër veteran i Vietnamit, priti në Washington javën e kaluar presidentin vietnamez Truong Tan Sang.
“Sot, kur amerikanët dëgjojnë fjalën Vietnam, në mendjen e tyre shfaqet vendi dhe jo lufta,” tha zoti Kerry.
Megjithatë, kujtimet nga lufta kanë lënë gjurmë të pashlyeshme tek shumë njerëz. Senatori McCain thotë se do ta marrë malli çdo ditë për mikun e tij, por është i sigurtë se do ta takojë atë përsëri.
George Everett “Bud” Days u lind në Sioux City të shtetit Iowa. Ai ndërroi jetë me 27 korrik në Florida.