Lidhje

Komentet e zyrtares për senatorin McCain shkaktojnë reagime


Një zyrtare e Shtëpisë së Bardhë i ka trajtuar me mospëfillje kritikat e senatorit John McCain ndaj kandidaturës së Presidentit Donald Trump për të drejtuar CIA-n, duke thënë se "janë të parëndësishme, pasi ai gjithsesi po vdes".

Senatori republikan 81-vjeçar John McCain nga Arizona po lufton me sëmundjen e kancerit që i ka prekur trurin.

Sipas njoftimeve, Kelly Sadler, ndihmëse në zyrën e komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, i ka bërë komentin dje gjatë një takimi me stafin e kësaj zyre.

Dy persona të pranishëm në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura biseduan në kushte anonimiteti me agjencinë e lajmeve Associated Press duke thënë se ndiheshin "të tronditur" nga komenti, i cili u konfirmua edhe nga media të tjera.

Shtëpia e Bardhë nuk e mohoi komentin e bërë, por nëpërmjet një deklarate tha se: "e respektojmë shërbimin e senatorit McCain ndaj vendit dhe lutemi gjatë kësaj kohe të vështirë për të dhe familjen e tij".

Pas publikimit të komenteve të Kelly Sadlerit të enjten në mbrëmje, bashkëshortja e senatorit McCain, Cindy, në një postim në Twitter shkruante “ju kujtoj se burri im ka një familje, 7 fëmijë dhe 5 nipër e mbesa".

Senatori McCain, i cili është torturuar si i burgosur lufte në Vietnam, lëshoi një deklaratë të mërkurën duke i kërkuar Senatit të votonte kundër kandidaturës së zonjës Gina Haspel për postin e drejtores së CIA-s. Ai tha se besonte se zonja Haspel ishte patriote, por se "refuzimi nga ana e saj për të pranuar imoralitetin e torturës e skualifikonte atë".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG