Lidhje

Mattis: SHBA po shqyrton pajisjen e Ukrainës me armë


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis ripohoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për rivendosjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës gjatë një vizite të enjten në këtë vend të Evropës Lindore. Sekretari Mattis u takua me presidentin ukrainas Petro Poroshenko dhe ministrin e mbrojtjes Stepan Poltorak. Një prej temave delikate që u diskutua gjatë vizitës ishte nëse Shtetet e Bashkuara do t'i japin Ukrainës armë luftarake.

Shtetet e Bashkuara kanë dhënë qindra miliona dollarë ndihma dhe pajisje për ukrainasit që po mbrojnë vendin e tyre nga separatistët e mbështetur nga Rusia, një luftë në të cilën deri më tani janë vrarë mbi 10,000 ukrainas.

Sekretari i Mbrojtjes Mattis tha se administrata e Presidentit Trump po shqyrton me seriozitet pajisjen e forcave ukrainase me armë.

"Ne po e shqyrtojmë këtë në mënyrë aktive. Unë kam parë situatën aktuale dhe kur të kthehem në vend do të jem në gjendje të informoj Sekretarin e Shtetit, Presidentin në mënyrë specifike mbi rekomandimete mia ".

Ata që mbështesin furnizimin e Ukrainës me armëve mbrojtëse theksojnë se vendi ka nevojë për mjete për t’u mbrojtur nga sulmet e Rusisë që po shkelin sovranitetin e vendit, duke përfshirë aneksimin e Krimesë dhe mbështetjen për separatistët në lindje të Ukrainës.

"Ne nuk e pranojmë dhe nuk do ta pranojmë pushtimin e Krimesë nga Rusia. Pavarësisht mohimeve të Rusisë, ne e dimë se Moska po kërkon të rishkruajë me forcë kufijtë ndërkombëtarë", tha zoti Mattis.

Të tjerët janë të shqetësuar se furnizimi i Ukrainës me armë do ta provokonte Rusinë dhe do të përshkallëzonte konfliktin, duke shkaktuar më shumë vrajse të civilëve në Ukrainë.

"Presidenti Obama ishte kundër duke argumentuar se ky veprim që do të kishte një rezultat kundërproduktiv. Ky ishte interpretimi i tij. Nuk e dimë se çfarë interpretimi do të zgjedhë Presidenti Trump", thotë Michael O'Hanlon i Institutit Brookings.

Sekretari Mattis vizitoi Ukrainën një ditë përpara se të hynte në fuqi një armëpushimi në Ukrainën lindore që përkon me fillimin e vitit të ri shkollor. Por ekspertët paralajmërojnë se armëpushimi mund të jetë një veprim taktik për t’i shërbyer Rusisë.

"Nuk besoj se armëpushimi ka të ngjarë të zgjasë, por ai ndoshta është një dredhi negociuese për t’i dhënë përshtypjen Shteteve të Bashkuara, vendeve dhe aktorëve të tjerë që të shmangin çdo përshkallëzim dhe të heqin dorë nga furnizimi i Ukrainës me armë", thotë zoti O'Hanlon.

Zyrtarët amerikanë thonë se ata vazhdojnë të mbeten të përkushtuar në zgjidhjen diplomatike të konfliktit në Ukrainë. Por ndërsa Afganistani, grupi militant Shteti Islamik dhe Koreja e Veriut janë kthyer në përparësi të larta për Shtetet e Bashkuara në javët e fundit, disa analistë kanë frikë se konflikti në Ukrainë do të mbetet jashtë vëmendjes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG