Lidhje

Marti: Kam dëshmitarë për raportin tim, por ata kanë frikë


Dick Marty
Dick Marty

Raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty, tha sot se raporti i tij mbi përfshirjen e drejtuesve të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në trafikim organesh njerëzore mbështetet mbi dëshmitarë të besueshëm që nuk i besojnë drejtësisë vendase apo ndërkombëtare në Kosovë.

Ai i bëri këto komente në hapje të punimeve të sotme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku është hedhur për diskutim raporti i zoti Marty.

Në fjalën e tij ai vuri theksin në reagimet që ka nxitur raporti duke theksuar se “ai nuk ka të bëjë fare me statusin politik të Kosovës, nuk ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë mënyrë nuk është kundër popullit shqiptar”, por, sipas tij ka të bëjë me “të drejtat e njeriut”.

Ai tha se emrat e atyre ndaj të cilëve ngrihen pretendime, janë “emra që janë cituar për shumë vite në dokumentet që janë hartuar nga forcat policore, nga shërbimet sekrete të disa vendeve, për të mos përmendur edhe artikujt e gazetave që janë shkruar nga gazetarë shumë të respektuar”.

Zoti Marty tha se ka “dëshmitarë besueshëm dhe dëshmitë e tyre janë të qëndrueshme gjë që po i frikëson disa qarqe të caktuara”. Sipas zotit Marty, “dëshmitarët janë shumë të frikësuar dhe nuk i besojnë drejtësisë vendase apo asaj ndërkombëtare”. Ai ngriti edhe çështjen e programit për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë, çështje kjo e cila do të jetë po ashtu temë diskutimi e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Muajin e kaluar, raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty, nxiti reagime me zemërim në Kosovë me pretendimet se udhëheqës të lartë të Ish Ushtrisë Çlirimtare dhe kryeministri aktual Hashim Thaçi, janë të përfshirë në veprimtari të paligjshme, përfshirë edhe trafikimin e organeve njerëzore.

Kryeministri Thaçi u është bashkuar thirrjeve për hetimin e plotë të pretendimeve të zotit Marty, duke garantuar bashkëpunimin e plotë të qeverisë së tij.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG