Nën administratën e Presidentit Donald Trump, Shtetet e Bashkuara janë përqëndruar në marrëdhëniet dypalëshe tregtare dhe janë tërhequr nga Partneriteti Trans-Paqësor, një marrëveshje tregtare shumëpalëshe e promovuar nga administrata Obama për t’i bërë ballë ndikimit të Kinës në rajonin e Azi-Paqësorit. Korrespondentja e Shtëpisë së Bardhë Patsy Widakuswara i hedh një vështrim sfidave tregtare rajonale për Presidentin e zgjedhur Joe Biden, i cili është zotuar të kthehet tek qasja shumëpalëshe dhe të punojë me aleatët për të rishkruar rregullat e tregtisë ndërkombëtare.
Në nëntor, 15 vende të Azi-Paqësorit nënshkruan Partneritetin Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal.
Kjo është marrëveshja më e madhe në botë e tregtisë së lirë, që përfshinë vende që së bashku përbëjnë 28 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të mbarë globit dhe kanë 2.2 miliardë banorë.
Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e Partneritetit Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal, e cila shihet si një alternativë e mbështetur nga Pekini ndaj marrëveshjes së Partneritetit Trans-Paqësor, një marrëveshje tregtare rajonale e propozuar nga administrata Obama që përjashtoi Kinën. Dymbëdhjetë vende nënshkruan Marrëveshjen tregtare të Partneritetit Trans-Paqësor në vitin 2016 para se Presidenti Donald Trump të tërhiqej prej saj në vitin 2017.
"Ato nuk do të përcaktojnë plotësisht të gjitha politikat tregtare. Por, këto marrëveshje do të krijojnë tipare të caktuara që ndoshta do të jenë potencialisht shumë të rëndësishme për bizneset tona dhe tregtinë ndërkufitare", thotë Marc Mealy nga Këshilli i Biznesit SHBA-ASEAN.
Presidenti i zgjedhur Joe Biden është zotuar të mos hyjë në marrëveshje tregtare derisa Shtetet e Bashkuara të bëjnë investime në fuqinë punëtore dhe infrastrukturën e saj. Por ai ka sinjalizuar se do të punojë me aleatët në fushën e tregtisë.
"Kjo do të mund të na ndihmonte të përcaktojmë rregullat e lojës, në vend që Kina dhe të tjerët të diktojnë rezultatet, sepse tani ata janë të vetmit që po e bëjnë këtë", thotë zoti Biden.
Qasja shumëpalëshe e zotit Biden do të ishte një largim nga politikat e Presidentit Trump, i cili preferon negociatat dypalëshe që përputhen me axhendën e tij tregtare "Amerika e Para".
Në vitin 2018, Presidenti Trump nënshkroi një marrëveshje të ripunuar të tregtisë së lirë me Korenë e Jugut dhe në vitin 2019 një marrëveshje të kufizuar tregtare me Japoninë.
Por pjesa kryesore e politikës së tij tregtare është lufta tarifore me Kinën.
"Ne kemi tarifë 25 përqind mbi mallrat kineze me vlerë 250 miliardë dollarë dhe pastaj ne do ta ulim nga 10 në 7.5 përqind tarifën mbi mallrat me vlerë 300 miliardë dollarë plus", thotë Presidenti Trump.
Presidenti Trump ka vënë në shënjestër edhe firmat kineze të teknologjisë, përfshirë kompaninë Huawei, duke thënë se prodhuesi kinez i telefonave do të përgjonte për Pekinin. Ai ka arritur të bindë Britaninë dhe disa vende të tjera të vogla evropiane që të përjashtojnë kompaninë Huawei nga rrjetet e tyre të ardhshme 5G.
Por veprimet e Presidentit Trump nuk kanë ulur deficitin e përgjithshëm tregtar të Shteteve të Bashkuara me Kinën, i cili është rritur gjatë pandemisë pas uljes që shënoi në vitin 2019.
"Unë mendoj se efektshmëria e këtyre masave të ashpra është e debatueshme, në një kohë kur nuk ka patur një rrugë të qartë përpara", thotë Vikram Singh nga Instituti Amerikan i Paqes.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina nënshkruan Fazën e Parë të një marrëveshje tregtare me Pekinin në janar, duke rënë dakord për të rritur blerjet e mallrave amerikane, përfshirë 36.5 miliardë dollarë shtesë të produkteve bujqësore. Kina nuk ka gjasa të përmbushë objektivin e këtij viti.
Zoti Biden ka të ngjarë të përqendrohet në trajtimin e krizës së Covid-19 në muajt e tij të parë në detyrë, përfshirë shpërndarjen e vaksinave dhe rimëkëmbjen ekonomike. Por marrëdhënia e tensionuar SHBA-Kinë pritet të vazhdojë.
"Marrëdhënia do të bëhet gjithnjë e më konkurruese, pavarësisht se kush i udhëheq këto dy vende. Pyetja është nëse udhëheqjet e tyre mund të ushtrojnë një kontroll mbi ngjarjet historike dhe mund të sillen në mënyrë të arsyeshme dhe pragmatike ndaj njëri-tjetrit", thotë Evan Resnick nga Universiteti Teknologjik i Nanjangut.
Çdo përpjekje e zotit Biden për të lehtësuar tarifat do të përballej me kundërshtim të fortë të Kongresit, sepse ekziston një konsensus dypartiak për një qasje më të ashpër për të frenuar rritjen e Kinës.
Facebook Forum