Një zyrtare e lartë e Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar USAID, thotë se në shkallë globale duhet rritur numri i grave në vendim-marrje gjë që do të zgjeronte edhe çështjet që diskutohen në të mirë të komunitetit. Këshilltarja e lartë e USAID-it për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Gruas, Susan Markham tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se kuotat e rrisin përfaqësimin e gruas në politikë dhe se koncepti i meritave në përzgjedhjen e kandidatëve të partive politike duhet të zgjerohet, që të përfshijë më shumë gra.
Zëri i Amerikës: Zonja Markham, ju jeni marrë me çështjet e grave dhe barazisë për një kohë të gjatë dhe unë desha t’ju pyesja cilat janë disa nga pengesat kryesore globale sot për të arritur objektivin e forcimit të pozitës së gruas në përgjithësi?
Susan Markham: Mendoj se ka disa pengesa. Së pari ka një hendek në qasjen tek burimet, qoftë tek arsimi, kujdesi shëndetësor, kreditë, tek punët e paguara mirë në ekonominë globale. Shumë gra nuk kanë mundësi që të kenë të njëjtën qasje tek këto shërbime. Së dyti, është çështja e dhunës gjinore. Në çdo vend të botës dhe ku USAID-i punon, dhuna gjinore është një fakt i jetës, kështuqë duhet të shohim se si këto çështje ndikojnë tek aftësia e gruas për të pasur rol udhëheqës. Qoftë në familje, apo komunitet ne duhet të merremi me çështjen e dhunës gjinore si edhe të marrim masat e duhura. Dhe së fundmi, është çështja e vendim-marrjes. Ne nuk duam thjesht që gratë e vajzat të ndjekin shkollën, thjesht të kenë vende pune. Ne duam që ato të ndjehen të fuqizuara, që vajzat dhe djemtë të ndjejnë që e kanë forcën të marrin vendime për jetën e tyre dhe kjo përkthehet në vendime për kujdesin e tyre shëndetësor, për martesën e tyre, për votën dhe demokracinë, për të pasur zërin e tyre për atë që zgjidhet në detyrë dhe për kandidatët. Duam të sigurohemi që këto vendime të merren në mënyrë të barabartë për zgjidhje afatgjata.
Zëri i Amerikës: Përfaqësimi në politikë është një mjet efektiv për të përfshirë zërin e gruas në vendim-marrje. Por ka opinione të ndryshme për mënyrën e realizimit të këtij qëllimi, dhe një prej tyre është përqindja e caktuar e përfaqësimit të grave në politikë. Si mendoni se mund të përshpejtohet rritja e pjesëmarrjes në politikë, sidomos në vendet që janë ende në zhvillim?
Susan Markham: Më duhet të them se në gjithë botën, kur një vend ka një sistem me përqindje të caktuara për gratë, përfaqësimi i gruas është shumë më i lartë. Pra, nëse objektivi është që të kesh më shumë përfaqësim të gruas, përcaktimi i një përqindjeje është një alternativë e mirë. Por sigurisht që çdo vend duhet të bëjë atë që është më e mira për ta. Më duhet të them, se unë në fillim nuk isha shumë entuziaste për idenë e kuotave, por ka rëndësi që burrat dhe gratë, vajzat dhe djemtë të shohin gra në pozicione drejtuese, t’i shohin në ekrane televizive, t’i shohin ato të mbajnë qëndrime të forta për çështje të vështira. Unë vetë si natyrë jam pak cinike por kur kemi gra kandidate për poste këtu, unë e marr vajzën me vete dhe i them ‘e shikon edhe ti mund të jesh si ajo’. Imazhe të tilla vizuale janë shumë të rëndësishme, sepse jo vetëm ndryshojnë qëndrimet për gratë në udhëheqje, por edhe inkurajojnë gra të tjera që të kandidojnë dhe të luajnë një rol më të madh në sferën publike.
Zëri i Amerikës: Siç tregon përvoja e disa vendeve të zhvilluara, përfshirë Shtetet e Bashkuara, si për shembull si në rastin e të drejtave civile, shpesh është legjislacioni që ndryshon përpara dhe ndryshimi i mentalitetit vjen më pas. A është kjo një përvojë që duhet ndjekur në raste të tilla?
Susan Markham: Është pak e vështirë të japësh një përgjigje të thjeshtë sepse shpesh herë është e vërtetë që legjislacioni apo hartimi i politikave vijnë të parat dhe pastaj ndryshon mentaliteti i publikut. Problemi është se nëse nuk ka një mbështetje në themel të atij legjislacioni, apo asaj politike, nuk ka kuptim ta miratosh nëse nuk pasohet nga zbatimi. Duhet të kesh një balancë, domethënë që të mos jetë shumë përpara opinionit publik, por aq sa të nxisë angazhimin e njerëzve dhe ç’është më e rëndësishmja, duhet të zbatohet.
Zëri i Amerikës: Ka vende, si disa prej vendeve të Ballkanit për shembull që ende po hasin vështirësi se si ta zgjidhin këtë problem dhe nuk është e thjeshtë as për aktivistet, as për politikanet që duan të sjellin ndryshim duke rritur përfaqësimin. Cila do të ishte këshilla juaj për mënyrën e zgjidhjes së këtij problemi si shoqëri?
Susan Markham: Besoj se të gjithë duhet t’i shohim të drejtat e gruas dhe forcimin e pozitës së saj, si çështje të të gjithë komunitetit. Nuk është vetëm çështje e gruas. Të gjitha vendet që kam vizituar kanë gra të forta, të afta dhe të zgjuara që mund të luajnë role udhëheqëse. Ne shpesh themi se kur ka gra në tryezën e vendimmarrjes, çështjet që diskutohen ndryshojnë, sepse çështjet që burrat sjellin në tryezë nuk janë gjithmonë ato që duan të diskutojnë gratë. Po ashtu edhe rrugëzgjidhjet janë të ndryshme. Prandaj objektivi afatgjatë është përfshirja e të gjitha grupeve të shoqërisë në diskutim.
Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, po afrohen zgjedhjet lokale dhe është momenti kur diskutohen kandidatët. Ka pasur raste kur i është rezistuar idesë për të pasur një numër të caktuar grash në lista. Si do t’i përgjigjeshit argumentit se kandidatët duhet të zgjidhen në bazë të meritave dhe jo të faktit nëse janë burra ose gra?
Susan Markham: Shpesh meritat që përdorin partitë politike për të gjykuar kandidatët janë për shembull fakti që kandidatët kanë fituar edhe më parë apo kriteri që të kenë shërbyer në disa poste. Prandaj menjëherë meshkujt favorizohen, sepse numri i burrave që kanë kandiduar më parë është më i madh. Prandaj unë mendoj se këto kritere duhet të zgjerohen, për shembull me pyetjet se kush do ta përfaqësojë më mirë komunitetin, kush i kupton çështjet e votuesve, kush mund të tërheqë votues që më parë mund të mos jenë përfaqësuar. Prandaj mendoj se zgjerimi i perspektivës se kush mund të përfaqësojnë njerëzit brenda partisë, dhe se kë do të përfshijë partia në listë për ta përfaqësuar, janë më të rëndësishme sesa përvoja e mëparshme që mund ta ngushtojë grupin e kandidaturave të mundshme.
Zëri i Amerikës: Disa nga çështjet që shqetësojnë gratë në vendet në zhvillim, nuk janë zgjidhur plotësisht as në vende si Shtetet e Bashkuara, ku ende nuk ka një grua presidente, gratë paguhen më pak se burrat dhe ato janë më të pakta në krye të kompanive të mëdha. A do të thotë kjo se disa nga problemet janë universale?
Susan Markham: E para gjë që them kur flas në vende të tjera, është që edhe ne në SHBA nuk i kemi zgjidhur të gjitha. Unë sjell përvojën amerikane për ato metoda që mund të funksionojnë. Fakti që akoma në SHBA nuk kemi arritur ende të kemi një presidente, tregon që këto çështje janë universale. Institucionet që kemi u krijuan dikur nga burrat dhe për burrat, qoftë parlamenti, institucionet financiare apo edhe institucioni i martesës. Prandaj duhet t’i ndryshojmë këto institucione, duhet t’i mbështesim gratë që t’i përqafojnë mundësitë që u jepen, në mënyrë që të kenë aftësitë dhe vetëbesimin që të bëjnë përpara kur u jepet shansi. Dhe në fund të ndryshojë ideja e këndvështrimeve lidhur me atë që është apo nuk është e përshtatshme për gruan, kur lejohet të flasin, për çfarë teme mund të flasin. Këtu në Shtetet e Bashkuara, nuk është aq e theksuar, megjithatë ka raste që kur një grua flet për çështje që njerëzit mendojnë se nuk është e përshtatshme, hapen debate në media apo internet. Pra është një çështje universale dhe Shtetet e Bashkuara kanë ngjashmëri me vende të tjera përsa i takon përparimit, por edhe sfidave.