Lidhje

Oficerja Maria Daume diplomohet nga Shkolla Detare e Këmbësorisë


Historia e jetës së oficeres Maria Daume është si e marrë nga faqet e një libri komik me superheronj: lindur në një burg siberian, jetime në moshën dy vjeçare, e adoptuar nga prindër amerikanë dhe e rritur në Nju Jork. Dhe në mes të muajit që nderon historinë e grave - 19 vjeçarja arriti një rekord të ri si marinse amerikane. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carla Babb foli me marinsen Daume në intervistën e saj të parë që kur përfundoi një stërvitje speciale në Shkollën Detare të Këmbësorisë në kampin Lejeune të Karolinës së Veriut.

Nga kampi stërvitor… në diplomim...oficerja Maria Daume ka bërë atë që shumë thonë se një grua nuk mund t’a bëjë.

Ajo është e para oficere që i bashkohet këmbësorisë përmes procesit stërvitor, një proces që është bërë i mundur për gratë vetëm gjashtë muaj më parë.

“Më pëlqen t’u provoj njerëzve të kundërtën e asaj që mendojnë. Të qënurit grua nuk do të thotë se nuk bën dot atë që bën një burrë.”

Gjetja e rrugës nëpër pyje, fjetja jashtë dhe mbajtja e peshave të rënda janë pjesë e kursit në Shkollën e Këmbësorisë.

Instruktori dhe rreshteri i marinës Matthew Schneider thotë se Daume jo vetëm që u diplomua, por ajo i bënte gjërat shpesh të dukeshin të lehta.

“Ishte në krye të grupit.”

Hyrja e saj në këmbësori vjen ndërsa Korpusi është tronditur nga një skandal.

Një faqe private në Facebook e quajtur “Marines United” shpërndau foto nudo të grave në ushtri, me kërcënime se do të postonte imazhe edhe më të “ndryra”.

Komandanti i Korpusit të Marinës, gjenerali Robert Neller u tha ligjvënësve se është i neveritur nga ky veprim.

“Sa më tepër duhet të bëjnë gratë e Korpusit për t’u pranuar? Duhet t’i hedhim poshtë këto lloj shtrembërime në kulturën tonë. Mjaftë më.”

Daume donte të thyente barrierat.

“Më jep më shumë motivacion për t’u treguar se ne jemi të barabarta, vetëm vëzhgoni.”

Nëna e saj sheh një të re që e frymëzon. Ekspertët shpresojnë se suksesi i saj do të bindë më shumë gra të bashkohen, pavarësisht skandalit të tanishëm.

“Kjo mund të jetë mënyra për të mbyllur hendekun dhe për t’i sjell gratë në këmbësori, dhe për t’i bërë ato të ndjehen të barabarta me kolegët e tjerë.”

Daume thotë se për kolegët e saj këtu në kampin Lejeune, ajo nuk ishte gruaja Daume, ajo ishte thjesht Daume. Ajo dhe katër të diplomuarë të tjerë kanë shkuar në Kaliforni, ku shpresojnë të hapin shtigje të reja në një vend ku ajo s’ka qënë asnjëherë më parë.

XS
SM
MD
LG