Presidenti Francez Emmanuel Macron premtoi përpara turmave të zemëruara të libanezëve në Beirut se ndihmat për rindërtimin e qytetit të dëmtuar rëndë nga shpërthimi i së martës nuk do të përfundojnë në "duar të korruptuara".
Gjatë vizitës në Bejrut, e para e një udhëheqësi të huaj në kryeqytetin libanez pas shpërthimit, ai u bëri thirrje autoriteteve politike të kryejnë reforma, përndryshe vendi rrezikon të zhytet më thellë në krizë.
Nga shpërthimi mbetën të vrarë të paktën 145 njerëz, u plagosën 5,000 dhe pjesë të mëdha të kryeqytetit kanë pësuar dëme.
Pas vizitës në portin e Bejrutit, epiqendra e shpërthimit, zoti Macron u përshëndet nga njerëzit në rrugën Gemmayze, një prej më të dëmtuarave në qytet, të cilët hidhnin parrulla kundër klasës politike dhe korrupsioni të përhapur.
"Ju garantoj se kjo ndihmë nuk do të përfundojë në duar të korruptuara," tha presidenti francez, i cili mbante një kravatë të zezë në shenjë zie.
Ai premtoi dërgimin e më shumë ndihmave mjekësore dhe të tjera në Liban, ndërsa njerëzit përreth thërrisnin "Revolucion" dhe "Populli kërkon rënien e regjimit".
"Do të flas me të gjitha forcat politike për t'u kërkuar atyre një pakt të ri. Jam këtu sot për t’u propozuar atyre një pakt të ri politik," tha ai, duke shtrënguar duart me njerëzit në rrugët e mbushura me mbetje nga shpërthimi dhe ku dyqanet kishin mbetur pa dritare.
Banorët, pronarët e dyqaneve dhe vullnetarë të tjerë kanë nisur vetë punën për pastrimin e rrugës më të vizituar të kafeneve dhe restoranteve, ku shpërthimi prishi ballkone dhe shkatërroi fasada dyqanesh.
Presidenti Macron u përshëndet nga turmat në këtë lagje, një pjesë kryesisht e krishterë e kryeqytetit, me thirrjet “Rroftë Franca!” dhe “Na ndihmoni! Ju jeni shpresa jonë e vetme!"
Disa hidhnin parrulla kundër Presidentit libanez Michel Aoun, i cili është i krishterë maronit, në bazë të marrëveshjes politike të qeverisjes, që parashikon ndarjen e posteve më të fuqishme mes sekteve fetare të vendit.
Franca prej kohe përpiqet të mbështesë ish-koloninë e saj dhe ka dërguar ndihmë urgjente pas shpërthimit. Por ajo u është bashkuar vendeve të tjera perëndimore që kërkojnë reforma për të çrrënjosur korrupsionin, për të ulur shpenzimet buxhetore në rritje dhe për të pakësuar borxhin tepër të lartë.
Menjëherë pas arritjes në Bejrut, zoti Macron tha se Franca solidarizohet pa kushte me popullin libanez, por se ai dëshironte t’ua thoshte hapur disa të vërteta figurave politike.
"Duke lënë mënjanë shpërthimin, ne e dimë se kriza këtu është serioze, ajo përfshin përgjegjësinë historike të udhëheqësve të vendit," u tha ai gazetarëve pasi u prit në aeroport nga Presidenti Aoun.
"Ne nuk mund të mos i vemë në dukje njëri-tjetrit disa të vërteta,” shtoi ai.
Shumë libanezë, të cilët kanë humbur punën dhe kursimet për shkak të krizës financiare, thonë se shpërthimi ishte simptomë e neglizhencës dhe korrupsionit në sistemin politik të vendit.
Facebook Forum