Lidhje

Sulm kibernetik ndaj fushatës së Emmanuel Macron


Ekipi i kandidatit të qendrës në zgjedhjet presidenciale në Francë, Emmanuel Macron njoftoi mbrëmë se është bërë objekt i një sulmi “masiv dhe të koordinuar” kibernetik që ka nxjerrë komunikime me email dhe dokumente financiare.

Ekipi i zotit Macron i cilësoi këto publikime si të pashembullta në një fushatë zgjedhore në Francë duke shtuar se kjo ishte një përpjekje për të “destibilizuar demokracinë, e ngjashme me ngjarjet që shoqëruan zgjedhjet presidenciale amerikane”.

"Dokumentet për të cilat bëhet fjalë janë të gjitha të ligjshme dhe dëshmojnë funksionimin normal të një fushate presidenciale,” thuhej në një deklaratë të stafit të fushatës për kandidatin Macron.

Këto dokumente ishin vënë në llogarinë e medias sociale të një grupi të quajtur EMLEAKS, pak para mesnatës mbrëmë, kur 39-vjeçari Macron dhe rivalja e tij, kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen po përmbyllnin fushatën në përgatitje për zgjedhjet që zhvillohen nesër.

Duke filluar nga mesnata kandidatët zyrtarisht duhet të ndalin aktivitetin për fushatë dhe media nuk mund të diskutojë më zgjedhjet apo zhvillime të tjera, përfshirë edhe nxjerrjen e dokumenteve dhe përmbajtjen e tyre.

Anketat tregojnë se mbështetja për Emmanuel Macronin është shtuar dhe ai pritet të fitojë me një diferencë të ndjeshme mbi rivalen Le Pen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG