Autoritetet qeveritare maqedonase vazhdojnë të shpresojnë për një zgjidhje të shpejtë të problemit të emrit të vendit me Greqinë fqinje, ndërsa zgjidhja do t’ia hapte Maqedonisë dyert e anëtarësimit në Aleancën veriatlantike të Natos.
Shkupi ka mbështetur shpresat tek disa prej vendeve të Bashkimit Evropian për të ndikuar në Athinë, ndërsa Këshilli Evropian do të mblidhet në qershor për të vendosur mbi rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e negociatave me Maqedoninë.
Në Shkup, ministri gjerman për Evropën, Michael Roth tha të enjten se çështja e emrit të Maqedonisë duhet të zgjidhet brenda vitit, në të kundërt, status quo-ja, sipas tij, do të zgjasë pa fund.
Zyrtari gjerman e shikon si të arritshme zgjidhjen pasi të dyja palët kanë shprehur vullnet për kompromis; të dy qeveritë janë konstruktive dhe fleksibile, kurse ndërmjetësi Mattheë Nimetz luan rolin kyç, tha Michael Roth.
Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, ndërkaq thekson nevojën për maturi dhe kujdes për sa i përket paraqitjeve publike lidhur me çështjen e emrit. Ai nuk jep hollësi se sa afër zgjidhjes janë të dy palët që po zhvillojnë bisedime në nivel të ministrave të jashtëm. Zaev i hedh poshtë spekulimet për një lloj mosdurimi midis nënkryetares së qeverisë, Radmilla Sheqerinska dhe ministrit të jashtëm Nikolla Dmitrov që ndërlidhen me procesin.
Autoritetet greke kanë folur publikisht për median e tyre se këmbëngulin për një referencë ‘Erga Omnes’, apo një emër në përdorim të përgjithshëm si në komunikim ndërkombëtar po ashtu edhe të brendshëm për ish-republikën jugosllave dhe për nevojën e ndryshimeve kushtetuese që do të duhej të bëjë Shkupi.
Propozimi i përfolur “Gorna Makedonija” që i vjen Maqedonia e Epërme është i pranueshëm për të dyja palët, por Athina nuk do që ky emër të jetë i përkthyeshëm në gjuhët tjera por të jetë në këtë trajtë sllave. Dhe kjo nxitë mjaft dilema në Shkup, ndërsa shqiptarët edhepse nuk e mbështesin propozimin si të tillë, nga ana tjetër as nuk kanë dalë kundër tij.
Facebook Forum