Policia në Londër tha se nuk ka gjetur dëshmi për të shtëna apo viktima në një nga stacionet e ngarkuara të metrosë së qytetit, pas hetimeve të së premtes të një incidenti që fillimisht u tha se mund të jetë i lidhur me terrorizmin.
Deklarata e policisë shton se pasagjerët që u vetë-evakuuan shkaktuan një nivel të konsiderueshëm paniku dhe për pasojë telefonata të shumta iu drejtuan policisë nga publiku për të njoftuar se pati të shtëna me armë.
“Për shkak të natyrës së informacionit, policia veproi sikur të bëhej fjalë për terrorizëm, përfshirë edhe dërgimin e policëve të armatosur", thuhej në një komunikatë të policisë.
Oficerë të armatosur dhe të paarmatosur u dërguan në vendngjarje bashkë me policinë e Transportit Britanik, të cilët thanë se një grua kishte pësuar "lëndime të lehta" gjatë ikjes nga zona.
Videot e postuara në rrjetet sociale shfaqin turmat e njerëzve derisa largohen nga stacioni i metrosë në Oxford.
Zona është një distrikt me qendra tregtare shumë i frekuentuar në zemër të qytetit.
Facebook Forum