Lidhje

Lojrat Olimpike Botërore Eskimezo-Indiane nderojnë kulturën indigjene 


Dy ditë para fillimit të Olimpiadës së Tokios, atletët indigjenë u mblodhën në Fairbanks, të Alaskës, për të marrë pjesë në Olimpiadën e 60-të Botërore Eskimezo-Indiane. Njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Natasha Mozgovaya

Lojrat Olimpike Botërore Eskimezo-Indiane nderojnë kulturën indigjene 
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:37 0:00

Në Fairbanks, të Alaskës, me një popullsi prej rreth 30 mijë banorësh, Lojërat Olimpike Botërore Eskimezo-Indiane janë një ngjarje e madhe. Ato përkujtojnë aftësitë dhe kulturën që ndihmuan popullatën vendase të mbijetojë në kushte të vështira për mijëra vjet. Gjatë ceremonive të hapjes ishte ndezur një llambë me vaj fokash, e ngjashme me flakën olimpike.

"Unë jam Athabaskan, Cherokee, Tlingit, Koyukon dhe jam rritur rreth Lojërave Indigjene. Dhe jam kaq e bekuar që jam këtu këtë vit, pas disa viteve të çmendura që kemi pasur. Më pëlqen hedhja në batanije - kjo ishte hera ime e tretë ose e katërt - jam e bekuar që u përzgjodha këtë vit. Gjithashtu konkurroj në zgjatjen në stol dhe tërheqjen e shkopit indian, si dhe në ecjen mbi yndyrë dhe tërheqjen e veshit”, thotë zonja Genzel.

Kërcimi gërshërë teston aftësitë e nevojshme kur ecën mbi shtresa akulli. Ecja mbi trarë me yndyrë imiton sfidën e ekuilibrit që duhet për të kaluar përroin mbi një trung të rrëshqitshëm.

Shkelmimi lart i Alaskës, një nga garat më sfiduese, e ka origjinën nga sistemi Inuit i sinjalizimit. Qëllimi i tërheqjes së veshit është të testojë rezistencën e atletëve ndaj dhimbjes.

Dhe testi i mbajtjes peshë të katër personave është një provë force që imiton gjahtarin të cilit i duhet të mbajë një ngarkesë të rëndë në distancë të gjatë.

Sean Hawkins ka konkurruar në këtë ngjarje për 10 vjet, por ai mori fitoren e tij të parë këtë vit. Ai mbarti katër burra, me peshë totale 272 kilogramë, për 56 metra.

"Jam i lumtur, por jam jashtëzakonisht i tronditur!”, thotë ai.

"Olimpiada Eskimezo-Indiane është një aktivitet që është krijuar për të festuar dhe shijuar muajt e gjatë të dimrit që kemi pasur në mënyrë që të mund të bashkohemi dhe të flasim jo vetëm se si ia kemi dalë mbanë si individë, por për të treguar se sa jemi mbajtur në formë, veçanërisht kur jemi nga vende pa palestra, pa mundësi për të punuar - dhe shumë nga këto lojra u mundësojnë njerëzve të mbijetojnë në situata jete apo vdekjeje", thotë Mandy Sullivan, Nënpresidente e Olimpiadës Botërore Eskimezo-Indiane.

Në garën e zgjatjes me një dorë, atletët duhet të tregojnë forcë, ekuilibër dhe fokus të jashtëzakonshëm, duke u ekuilibruar mbi pëllëmbë ose nyjet e njërës dorë, ndërkohë që duhet të arrijnë një top që ngrihet më lart në çdo raund.

Këtë vit, Bernard Clark nuk mundi ta kalojë rekordin e tij prej 180 centimetrash.

“Qëndrova mbi grusht. Dhe diku tek 72-shi fillon të ndjesh lodhjen", thotë ai.

Disa nga ngjarjet më të pazakonta sportive janë ngrënia e muktukut, ose dhjami i balenave dhe përgatitja e një peshku. Për këtë garë, pjesëmarrësit duhet të sjellin "ulun" e tyre, një thikë tradicionale.

"Ka të bëjë me traditën, sepse ne jemi komunitet. Duam të vlerësojmë njëri-tjetrin, dhe në thelb qëllimi kryesor i lojërave është të përmirësohemi së bashku, sepse nuk duam që një shok gjuetar të mos ushqejë familjen e tij, pasi atëherë ata mund të vdesin nga uria", thotë Ezra Elisoff, atlet i Olimpikeve Botërore Eskimezo-Indiane.

Nuk ka humbës në këtë aktivitet, madje edhe ata që nuk fituan u lejuan të merrnin peshkun në shtëpi për darkë.

“Qëllimi i lojrave është vërtet të provosh aftësitë e tua, sepse shpesh, kur je jashtë në kampin e peshkut dhe po mbledh salmon, merr qindra të tillë në të njëjtën kohë. Duhet të jesh i shpejtë. Do të thoja se gjatë konkursit nuk e përdor thikën njëlloj si në kampin e peshkut, thjesht sepse nuk veproj aq shpejt sa në kampin e peshkut", thotë Marjorie Kunaq Tahbone, atlete e Lojërave Olimpike Botërore Eskimezo-Indiane.

Konkurset e ditës së parë zgjatën pothuajse deri në mesnatë, kryesisht për shkak të realizimit të vallëzimeve indigjene, të cilave audienca iu bashkua me kënaqësi.

XS
SM
MD
LG