Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj, u shpall sot i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte. Trupi gjykues i drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin ligjit, e shpalli atë të pafajshëm bashkë me tre ish bashkëluftëtarë të tij, Nexhmi Krasniqi, Naser Shala dhe Naser Krasniqi.
Pak pas lirimit, zoti Limaj shprehu besimin se, siç tha, “përfundimisht për të gjithë ata të cilët kanë pasur, fatkeqësisht dilema deri më tani, edhe pas 12 vjetëve, se dita e sotme dhe ky vendim tregon edhe një herë qartë që lufta jonë çlirimtare ka qenë e drejtë dhe e pastër”.
Në verën e vitit të kaluar, zoti Limaj dhe nëntë pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u akuzuan për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, që, siç thuhet, supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit të atij viti, në një qendër të improvizuar paraburgimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila ndodhej në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore.
Më 30 mars të këtij viti, gjashtë nga të akuzuarit u shpallën të pafajshëm, ndërsa gjykata vendosi që procesi gjyqësor për krime lufte kundër deputetit Fatmir Limaj dhe tre bashkëluftëtarëve të tij të vazhdojë, meqë siç ishte thënë, për shkak të përgjegjësive komanduese gjatë luftës, duhet të shqyrtohen disa dyshime që kanë të bëjnë me veprimet e tyre.
Prokurori i çështjes, kishte refuzuar ndërkohë kërkesën e trupit gjykues për ndryshimin ne aktakuzës dhe sot procesi u shpall i mbyllur me pafajësinë e të akuzuarve.
Akuza, e cila u hodh poshtë nga trupi gjykues, mbështetej kryesisht mbi dëshmitë e një ish pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare, Agim Zogaj, i cili qe bërë i njohur si dëshmitari X, deri në muajin shtator të vitit të kaluar, kur kreu vetëvrasje në Gjermani. Ai ishte dërguar atje nga autoritetet e EULEX-it, në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur. Ai për një kohë kishte mbajtur ditar ku kishte shënuar ngjarjet e përfshira në akuzë. Më 21 mars të këtij viti, pohimet e dëshmitarit u shpallën të papranueshme nga gjykata.
Kjo është hera e dytë që Fatmir Limaj shpallet i pafajshëm nën akuzat për krime lufte. Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant Çeliku, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.