Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj, shprehu sonte gatishmërinë për të hequr dorë nga imuniteti i tij në cilësinë e deputetit, për të mos penguar hetimet ndaj tij. Ai i bëri këto komente në një takim me gazetarë një ditë pasi që zyrtarët e EULEX-it lëshuan ndaj tij një urdhër arresti nën dyshimet për krime lufte. Nëntë persona janë arrestuar dje në një operacion në shkallë të gjerë, ndërsa pesë prej tyre tashmë janë në paraburgim. Të gjithë ata janë pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dyshohen për vrasje, tortura dhe veprime të tjera penale të bëra kundër civilëve shqiptarë dhe serb të Kosovës, si dhe ndaj të burgosurve të luftës në qendra të paraburgimit në Kosovë në vitin 1999.
Ndërkaq, deputeti Fatmir Limaj, I cili mbrëmë kishte biseduar më zyrtarë të EULEX-it përsëriti sonte gatishmërinë për të bashkëpunuar me drejtësinë.
“Mbrëmë kam shprehur gatishmërinë time, për raste tilla unë heq dorë nga imuniteti vullnetarisht, nuk dua të fshihem në emër të imunitetit të cilin e jep ligji, për të krijuar sa më shumë hapësirë dhe për ta vënë veten time në dispozicion të drejtësisë dhe ky ka qenë qëndrimi im mbrëmë. Pastaj, si rrjedh drejt heqjes së imunitetit nuk është çështje e imja, është çështje e procedurave ligjore që janë organet kompetente që duhet ti vazhdojnë”, tha zoti Limaj.
Nuk ka pasur ndonjë veprim ligjor deri tash ndaj zotit Limaj i cili ka imunitet në cilësinë e tij si deputet i Parlamentit të Kosovës. Sipas Kushtetutës së Kosovës, deputeti i Parlamentit nuk mund të arrestohet dhe as ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e tij si deputet, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Parlamentit. Por, kjo nuk pengon hetimet ndaj tij.
Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.
Arrestimet e djeshme kanë nxitur shumë reagime në Kosovë. Në orët e mbrëmjes nëpërmjet një komunikate kanë reaguar edhe presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli dhe Qeveria e Kosovës, të cilët shprehin siç thuhet “shqetësim për veprimet e EULEX-it, ndërsa shprehet besimi në pafajësinë e të dyshuarve.
Ndaj arrestime është protestuar sot në Malishevë, prej nga vijnë pjesa më e madhe e të arrestuarve dhe në Prishtinë ku një grup studentësh kërkuan siç u tha, t’i jepet fund ndjekjes së luftëtarëve të lirisë.