Lidhje

SHBA, ligjvënësit në protestë për kontrollin e armëve


Në SHBA, një grup prej rreth 30 demokratësh në Dhomën e Përfaqësuesve organizuan një protestë të pazakontë të mërkurën ndaj refuzimit të republikanëve për të hedhur në votë një rezolutë që parashikon kufizimin e blerjeve të armëve.

Ligjvënësit ecën në pjesën e përparme të Dhomës së Përfaqësuesve brenda ndërtesës së Kongresit. Ata njoftuan se po protestonin për të detyruar Kryetarin e Dhomës, Paul Ryan, udhëheqës i shumicës republikane, që të anulojë pushimin një-javor të Dhomës së Përfaqësuesve të planifikuar për javën e ardhshme.

Demokratët bënë thirrje për një debat dhe votim mbi masat për të zgjeruar kontrollet ndaj personave që blejnë armë si dhe për të mos lejuar blerjen e armëve nga ata që dyshohen si terroristë.

Disa nga ligjvënësit demokratë u ulën në dysheme, duke i lënë të habitur republikanët me këtë taktikë që është e zakonshme për protestat në rrugë, por jo në Kongres.

Protesta drejtpeht nga ikona e të drejtave civile, John Lewis nga Georgia,i cili tha se "në 12 vitet e fundit krimet me armë morën më shumë jetë amerikanësh sesa SIDA dhe mbidozat me narkotikë së bashku".

Ligjvënësi republikan që kryesonte seancën, Ted Poe i Teksasit, deklaroi pushimin e saj dhe dha urdhër të ndërpritej mbulimi televiziv.

XS
SM
MD
LG